Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u zotua se në 1 nëntor do të niste aplikimi i dozës së tretë të vaksinës anticovid. Nga një verifikim në terren, Faktoje konstatoi se ky proces ka nisur dhe kategoria e moshës së tretë ka shfaqur interes më të madh. Ky proces po shoqërohet edhe nga një risi, siç ëstë vaksinimi i kombinuar, ku doza e tretë është jo domosdoshmërisht i njëjti prodhim si dy dozat e para të injektuara. Kombinimin e duhur dhe pa pasoja e ka shpjeguar anëtarja e komitetit Teknik Silva Bino.
“Nga data 1 nëntor do të fillojmë gjithashtu edhe me vaksinimin me doza të treta, përsa i përket personave mbi 60-vjeç. Ftojmë këtu të gjithë ato qytetarë që kanë kryer vaksinën në afatet 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë, për t’u paraqitur në qendrat shëndetësore dhe në pikat e vaksinimit të përqëndruar për të kryer dozën e tretë të vaksinës duke filluar nga data 1 nëntor.”-tha ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu më 27 Tetor.
Faktoje, të hënën e 1 nëntorit bëri një verifikimin në terren në qendrat ku kryhet vaskinimi anticovid.
Fillimisht shkuam në stadiumin “Air Albania”.
“Këtu bëhet vaksinimi me dozën e tretë për moshat mbi 90 vjeç. Ajo çfarë iu ofrohet është Astra Zenneca, për shembull kanë bërë dy dozat e para Sinovac, dozën e tretë e bëjnë Astra Zenneca. Aplikimi i dozës së tretë duhet të injektohet 6 muaj pas dozës së dytë. Përsa i përket qytetarëve që duan dozë të parë apo të dytë ofrohen të gjitha llojet e vaksinave që janë momentalisht në Shqipëri.”- tha një vaksinatore për Faktojen.
Në qendrën e vaksinimit tek stadiumin Air Albania, vumë re praninë e disa qytetarëve që kërkonin të injektonin dozën e parë ose të dytë të vaksinës anticovid.
“Kam ardhur për injektimin e dozës së parë, AstraZenneca më thanë, por nuk e di çfarë do më ofrojnë këtu. Po pres të regjistrohem njëherë.”- tregon një zotëri rreth të 50-ave.
“Kam ardhur me burrin ta shoqëroj, dozën e parë e ka marrë Sinovax tani do marrë dozën e dytë, pastaj kismet të mbarojmë këto njëherë.”-tregon zonja Lutfie, ndërsa pret në rradhë me bashkëshortin.
Foto nga stadiumi Air Albania ku qytetarët presin të vaksinohen, 1 nëntor 2021
Faktoje e vijoi vëzhgimin në sheshin “Skënderbeu” ku edhe aty mund të aplikohej doza e tretë e vaksinës anticovid.
“Dozën e tretë do marr sot, dy të parat i kam Sinovax të tretën do e marr Pfizer, kështu më kanë thënë se unë jam me sëmundje kancerogjene.”-tha një I moshuar që piste radhën I shoqëruar nga nashkëshortja.
Të pyetur nga Faktoje, grupet e vaksinatorëve në Sheshin “Skënderbeu” shprehen se doza e tretë që aplokohet, pavarësisht dy dozave të para të injektuara tek individi, do jetë Astra Zenneca ose Pfizer në varësi të gjendjes së pacientit.
“Aktualisht i kemi të gjitha llojet e vaksinave anticovid. Sot ka filluar injektimi i dozës së tretë që do bëhet me Pfizer ose Astra Zenneca në varësi të gjendjes dhe historikut shëndetësorë të qytetarit. Nga sa kemi vënë re më të interesuar janë moshat e treta për bërjen e vaksinës qoftë dozë e parë, e dytë apo e tretë. Ama të gjithë që vijnë për të bërë dozën e tretë duhen të kenë kaluar 6 muaj nga injektimi i dozës së dytë.” – shpjegojnë vaksinatorët.
Në çadrën ku kryhen vaksinimet në Sheshin Skënderbej, vumë re se kishte numër të konsiderueshëm qytetarësh që prisnin të merrnin dozën e oarë ose të dytë të vaksinës.
“Kam dozën e dytë për të bërë Astra Zenneca, ja ku e kam këtë letrën e bardhë që tregon se sot duhet të marr dozën e dytë.”- shprehet një qytetare.
Foto nga sheshi Skëndërbej ku qytetarë të ndryshëm presin për t’u vaksinuar, 1 nëntor 2021
Në publikimin e fundit të datës 30 Tetor Ministria e Shëndetësisë raporton se deri më tani janë kryer në total 1,901,824 doza të vaksinës ndaj COVID-19, ku 887,865 qytetarë kanë marrë të dyja dozat.
Doza e tretë, çfarë të presim nga vaksinimi i kombinuar Sipas shpjegimit të mjekes Silva Bino gjatë një interviste në Top-Channel,personat që janë vaksinuar me dy doza të llojit Coronavac dhe Pfizer mund të vaksinohen me çfarëdo lloj doze vaksine tjetër. Ndërsa ata që kanë injektuar AstraZenneca nuk mund të bëjnë si dozë të tretë Sputnik V dhe anasjelltas. Pra këto dy vaksina nuk mund të kombinohen. Zonja Bino, sqaroi se përsonat e vaksinuar me coronavac, mund ta marrin dozën e tretë edhe nëse kanë kaluar vetëm 4 muaj nga doza e dytë.
Çfarë tregojnë studimet për efektin e vaksinimit të kombinuar
Në një artikull të publikuar nga New York Times në fillim të muajit tetor, rezultonte se një studim paraprak tregoi se përzierja e vaksinave Pfizer dhe Astra Zenneca siguron mbrojtje më efikase ndaj covid 19.“Rezultatet e hershme nga një studim britanik i vaksinave sugjerojnë se përzierja e markave të ndryshme të vaksinave mund të provokojë një përgjigje imune mbrojtëse kundër Covid-19. Në provë, vullnetarët prodhuan nivele të larta të antitrupave dhe qelizave imune pasi morën një dozë të vaksinës Pfizer-BioNTech dhe një dozë të vaksinës AstraZeneca-Oxford. Ata zbuluan se ata që morën dy doza të Pfizer BionNTech prodhonin nivele të antitrupave rreth 10 herë më të larta se ata që morën dy doza të Astra Zenneca. Vullnetarët që morën Pfizer, të ndjekur nga Astra Zenneca treguan nivele të antitrupave rreth 5 herë më të larta se ata me dy doza të AstraZenneca. Ndërsa vullnetarët që morën AstraZenneca të ndjekur nga Pfizer arritën nivele të antitrupave pothuajse aq të larta sa ata që morën dy doza Pfizer.”- citohet në artikull.