Artistët e Cirkut Kombëtar, nuk po stërviten apo japin shfaqje, një muaj nga shembja e një tjetër pjese të memories së kryeqytetit, çadrës së Cirkut. Ministria e Kulturës sqaron për Faktoje se ka vënë në dispozicion të artistëve palestrën e gjimnazit “Sinan Tafaj” në kryeqytet. Mirëpo, kreu i Sindikatës së Artistëve, Julian Kazazi thekson se në këtë mjedis as nuk janë bërë prova e as është dhënë shfaqe nga artistët e cirkut.
………………………………………………
“Nuk po fshihemi, ky është një moment i vështirë për cirkun. Deri në një zgjidhje tjetër, artistët mund të bëjnë prova në palestrën e shkollës ‘Sinan Tafaj’. Ndërsa momentalisht për shkak të situatës, cirku do të jetë i lëvizshëm dhe do të mbahet në disa palestra të ndryshme nëpër shkolla”- deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në 25 tetor.
Në 21 tetor, zyra e përmbarimit prishi çadrën e Cirkut Kombëtar, çka indinjoi artistët, të cilët protestuan para Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar një vend të ri ku të performojnë.
Cirku Kombëtar ka 28 artistë profesionistë, 7 prej mjeshtra. Ndërsa fëmijë që stërviten në cirk janë rreth 50.
Nisur nga shqetësimi i artistëve, por edhe i qytetarëve artdashës, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Kulturës, ku kërkuam të na vihen në dispozcion të dhëna se ku dhe kur pritet të ngrihet çadra e re.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Kulturës, 25 tetor 2021
Në përgjigjen e kthyer për Faktoje, ministria e Kulturës sqaron ndër të tjera:
“Lidhur me mbrojtjen e Cirkut Kombëtar, që kanë të bëjnë me infrastrukturën institucionale, drejtimin dhe funksionalizimin e saj, Ministria e Kulturës po bashkërendon punët dhe përgjegjësitë me të gjithë aktorët dhe faktorët institucionalë, për t’iu dhënë zgjidhjet me optimale dhe konform ligjit, sipas standarteve ndërkombëtare kësaj problematike të hasur dhe të trashëguar prej vitesh e madje dekadash në institucionet e artit dhe kulturës.
Në mbrojtje të interesave të Cirkut Kombëtar, Ministria e Kulturës, ka ndërmarrë çdo masë ligjore të mundshme ndaj vendimit nr. 8473, datë 17.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për rëndësinë publike të çështjes, Avokatura e Shtetit, me asistencën prioritare të Ministrisë së Kulturës, ka iniciuar gjithashtu një proces gjyqësor në mbrojtje të pronës publike ku është vendosur Çadra dhe Institucioni i Cirkut Kombëtar, proces i cili nuk është marrë ende në shqyrtim nga Gjykata.
Mbi bazën e kësaj situate: – Me shkresë nr. 5477 prot., datë 21.10.2021, i ka drejtuar Bashkisë Tiranë, identifikimin e një hapësirë në zonat e reja në zhvillim, si dhe për lejimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të një sipërfaqe trualli të ri (godinë dhe sipërfaqe ku mund të instalohet një strukture e re) për Institucionin e Cirkut Kombëtar.
– Me shkresë nr.5453 prot., datë 20.10.2021, i ka paraqitur Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kërkesën për shtesë fondi për vitin 2022, për hartimin e projektit infrastrukturor të kompleksit të ri të Cirkut Kombëtar”.
Por, ku po i zhvillojnë aktualisht provat dhe shfaqjet artistët e cirkut? Ministria e Kulturës na bën të ditur se artistëve u është vënë në dispozicion palestra e shkollës “Sinan Tafaj” në kryeqytet.
“Ndër masat afat-shkurtra të ndërmarra krahas hapësirave publike dhe shkollore në dispozicion, një pjesë e ushtrimit të aktivitetit stërvitor dhe shfaqjeve për fëmijët do të zhvillohen pranë ambienteve të shkollës “Sinan Tafaj”, palestra e të cilit do të vihet në shërbim të shkollës së cirkut dhe trupave artistike të Cirkut Kombëtar”-theksohet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Kulturës.
Ne shkuam në gjimnazin “Sinan Tafaj” më 16 nëntor për të verifikuar nëse palestra përdoret për prova nga artistët e Cirkut Kombëtar. Roja i shkollës nuk na lejoi të futeshim brenda, por na informoi se gjatë paradites, saktësisht deri në orën 13:05 aty zhvillohet mësim. Ai shtoi se nuk ka parë artistë që të zhvillojnë prova apo shfaqje në ambientet e palestrës së gjimnazit.
Gjimnazi “Sinan Tafaj”, 16 nëntor 2021
Faktoje bisedoi me kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Cirkut Kombëtar, Julian Kazazi, i cili theksoi se palestra e shkollës “Sinan Tafaj”, nuk plotëson kushtet për stërvitje normale të artistëve dhe fëmijëve të cirkut. Kazazi shtoi se nëse nuk jepet një zgjidhje nga institucioni përkatës për çështjen në fjalë, atëherë do të ndërmarrin hapa të tjerë.
“Artistët nuk po e përdorin, as nuk e kanë përdorur qoftë një ditë të vetme palestrën e shkollës ‘Sinan Tafaj’. Arsyet i kemi bërë të qarta se ajo palestër është jashtë funksionit për vazhdimësinë e stërvitjes normale të artistëve dhe fëmijëve të cirkut.
Ne jemi ende në fazën për të parë kushtet, sepse prej javësh nuk po performojmë. Kemi bërë kërkesa të herëpashershme në ministri për të gjetur një ambient për vazhdimësinë e aktivitetit artistik të cirkut, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e Ministrisë së Kulturës.
Ne jemi ende në pritje për një takim këtë javë me ministren Margariti për të diskutuar nëse do ketë vullnet të mirë për zgjidhjen e problemit të cirkut. Më pas do ndërmarrim hapa të tjera.
Kjo pritet të shikohet në ditët në vazhdim mbi bazë të situatës dhe të mbledhjes që do zhvillohet me artistët e cirkut”-tha Kazazi për Faktoje.
Në vendin ku qëndronte çadra historike e Cirkut Kombëtar, Faktoje konstatoi se nuk kishte mbetur më ndonjë shenjë e tij.
Vendi ruhej nga një roje private, i cili nuk lejonte persona të paautorizuar që të futeshin aty. “Artistët nuk kanë ardhur më këtu. Nuk lejohet që të futet askush”- tha ai.
Pamje nga vendi i ish-Cirkut Kombëtar, nëntor 2021
Pamje nga vendi i ish-Cirkut Kombëtar, nëntor 2021
Cirku i Tiranës, i vendosur prej 60 vitesh në rrugën “Dedë Gjo Luli”, në zonën pranë Bulevardit Zogu i Parë, ka nxjerrë breza të talentuar artistësh, të cilët sidomos gjatë fundjavave argëtonin qindra fëmjë, por edhe prindër.
Pas viteve ’90 personeli I Cirkut ka mbijetuar mes pamundësive ekonomike dhe mungesës së mbështetjes si institucion culture. Por ditët më të vështira erdhën pas 21 tetorit kur anëtarët e stafit të Cirkut Kombëtar, mbetën pa ‘shtëpi’ dhe të zhgënjyer për të ardhmen.
Ndërkohë në faqen zyrtare vist Tirana.com është ende informacioni me oraret e shfaqjeve të Cirkut dhe numrat e kontaktit për prenotimet.
Screenshot nga faqja në web e cirkut