Sebi Alla – Nëse pyet, gjen Stambollin, por nëse kërkon për Parkun “Durana” në Xhafzotaj të Durrësit, askush nuk të orienton saktë.
Të gjithë ngrenë supet: “vallahi se dimë, çfarë është ky parku”?!.
Në fund, vetëm një banor na drejton drejt vendit ku ndodhet teorikisht, pasi një nga miqtë e tij kishte pasur tokën aty, të cilët thotë se ia morën ashtu “badihava” për “interesa publike”.
“…Durana Tech Park merr jetë dhe kalon nga plani dhe legjislacioni në letër, në realitetin e një numri jo të vogël kompanish që kanë shprehur interesin dhe që nga sot marrin dhe certifikatën e anëtarit të kësaj shoqërie të re digjitale, ku qëllimi ynë kryesor nuk është që të sjellim sa më shumë kompani të huaja, por qëllimi ynë kryesor është që të angazhojmë sa më shumë talente shqiptare…”, tha kryeministri Edi Rama më 2 prill 2025, teksa pas shpinës së tij paraqitej një projekt “3D” sesi ishte.
Por pjesë e “talenteve” që përfituan nga ky park (ende) virtual, janë edhe kompani teknologjike vendase që dyshohet se kanë përiftuar tendera të dyshimtë të zhvilluar nga AKSHI, për të cilën ka një hetim të thelluar dhe janë lëshuar tetë urdhër arresti.
“Parajsë fiskale”?
E vetmja “jetë” jo teknologjike por biologjike, është bari i egër në pellgje uji.
Këta janë “rezidentët” e vetëm, ndonëse për këtë park (deri tani) imagjinar janë dhënë çertifikata regjistrimi për kompani në fushën e teknologjisë digjitale.
Për parkun në fjalë u hodhën akuza nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj (në kërkim nga SPAK) dhe më pas edhe nga opozita.
Ata deklarojnë se ky park që ende nuk ekziston fizikisht u ndërtua si parajsë fiskale për të favorizuar kompani të përfshira në afera korruptive.
“…Këtu nuk ka asnjë ndërtesë, asnjë kompani reale, asnjë punësim, por ka një skemë të sofistikuar grabitjeje”, tha Berisha, duke treguar disa foto nga vendi ku do të ngrihet parku.
Faktoje verifikoi në terren nëse kishte jetësim të parkut siç kundërshtoi Berisha, por deri ditën e sotme, asnjë tullë, duke e kategorizuar deklaratën e tij si pjesërisht të vërtetë sa kohë që Faktoje mundi të vërtetojë vetëm pjesën e parë, atë që lidhet me ndërtimin e parkut.
Në një reagim për A2 CNN, administratorja e parkut, Florensa Kovaçi Haxhi, tha se parku ndodhet aktualisht në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të realizohet brenda afatit 36-mujor të parashikuar nga ligji. “Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë”, tha ajo
Ndërkohë, kompanitë e regjistruara marrin lehtësira të dukshme fiskale, sipas një ligji specifik për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike








Parku 3D
Në vitin 2022 Korporata Shqiptare e Investimeve shpalli projektin për ndërtimin e Parkut të Teknologjisë, duke u bazuar në disa VKM si për formën e funksionimit ashtu edhe për vendin ku do të ngrihej.
Me emërtimin “Durana” (bashkim shkronjash të Durrësit dhe Tiranës), u vendos që fizikisht objekti të vendosej në Xhafzotaj.
Ndërtimi do të shtrihej në 140 mijë metra katrorë tokë, ndërsa vlera e punimeve është 20 milionë euro. Në të përfshihen sipërfaqe ndërtimore 21 000 metra me godina që shërbejnë për zyra, objekte banimi, hotel dhe parkim.
Bari
Aktualisht as edhe një rrethim nuk ka vendi ku do të ndërtohet ky park. Gjithçka në ajër.
Megjithatë, prej disa muajsh kompani të teknologjisë me qendër kryesisht në Tiranë, që ofrojnë shërbime IT dhe teknologjive të tjera elektronike, sisteme kamerazh vëzhgimi, kompjuterike, softueresh etj, janë rregjistruar si “rezidentë” në Xhafzotaj.





