Në muajt e parë të këtij viti janë importuar mbi 23.6 milionë kokrra vezë, ose 10 fishi i sasisë së importuar gjatë gjithë vitit 2021, sipas shifrave zyrtare nga Doganat. Ekspertët ngrenë dyshime, nisur nga këto tregues, se gripi i shpendëve e ka goditur vendin tonë më herët se mesi i muajit mars, kur autoritetet konfimuan zyrtarisht praninë e Influencës Aviare të tipit H5N8. Kjo sëmundje mendohet të ketë sjellë si pasojë përgjysmim të prodhimit të vezëve, nga ngordhja masive e pulave.
Mbi 23 milionë kokrra vezë janë importuar vetëm në muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një dhjetëfishim të sasisë së importuar gjatë gjithë vitit 2021. Të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se vendi kryesor nga ku Shqipëria ka importuar vezë është Italia, me rreth 23 milionë kokrra, ndjekur nga Hungaria, Mbretëria e Bashkuar dhe Greqia.
Referuar këtyre të dhënave, në vitin 2021, Shqipëria ka importuar 2.3 milionë kokrra vezë gjatë gjithë vitit ndërsa në 2020-n (vit që përkon me shpërrthimin e pandemisë së covi 19) u importuan rreth 10.2 milionë kokrra vezë.
Përgjigjia e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, 20 prill 2022
Të dhënat zyrtare iu dërguan Faktoje, pas një kërkese për informacion në fillim të muajit prill, kur vendi po përballej me një rritje të çmimit të vezëve.
Kërkesa për informacion dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, 1 prill 2022
Por, cilat janë arsyet e këtij boom-i importi të vezëve në krahasim me sasinë vjetore të 2021?
Eksperti Ervin Resuli, shprehet se shkaku kryesor ka qenë gripi i shpendëve. Ai thekson se dëmi është shkaktuar që në muajin shkurt, kur është shfaqur në të vërtetë edhe gripi i shpendëve në Shqipëri, duke çuar në ngrodhje masive të pulave.
“Është normale rritja e importit të vezëve, pasi ka ndikuar gripi i shpendëve. Para se të shfaqej gripi i shpendëve, në pulari prodhoheshin rreth 1 milion e 400 mijë vezë në ditë, ndërkohë aktualisht është përgjysmuar prodhimi, pasi kanë ngrodhur mijëra pula.
Pulat e pularisë llogaritet që të prodhojnë një vezë çdo ditë, pra kemi një humbje me gati 700 mijë. Është e pamundur që të plotësohen nevojat e tregut dhe në këto kushte detyrohemi që të shkojmë drejt importit. Para se të shfaqej gripi i shpendëve ne plotësonim pothuajse 100% të nevojave të tregut shqiptar me këtë produkt. Veç kësaj, prej 1 viti prodhuesit po përballen me çmimet e larta të bazës ushqimore për pulat”- sqaron Resuli.
Të dhënat për importin e vezëve nga Doganat tregojnë qartë se gripi i shpendëve është shfaqur në vendin tonë para datës 20 mars, kohë kur u konfirmua zyrtarisht rasti i parë nga Ministria e Bujqësisë.
Vëzhgimi në terren
Faktoje bëri një vëzhgim më 22 prill në disa prej supermaketeve në kryeqytet për të parë nëse ky produkt ishte në rafte dhe sa kishte arritur çmimi i tyre.
Çmimet ndryshonin në varësi të kompanisë prodhuese, por mesatarisht një kokërr vezë ishte rreth 30 lekë.
Çmimi i vezëve në një supermarket në Tiranë, 22 prill 2022
Në 21 mars, Faktoje raportoi se si Ministria e Bujqësisë kishte “injoruar” alarmin e dhënë më herët nga ekspertët për praninë e gripit të shpendëve në Shqipëri, pas raportimeve të shumta për ngordhje masive të pulave në pulari dhe jo vetëm.
Për këtë çështje, kompanitë prodhuese pohuan për Monitor në një artikull të publikuar më 21 mars se do të nisnin importin e vezëve nga vendet e BE-së.
“Për të amortizuar rënien e prodhimit, kompanitë thanë se do të fillojnë import vezësh nga vendet e BE nga fermat e licensuara. Por sipas tyre çmimi do të mbetet i lartë, pasi në BE veza është më shtrenjtë, rreth 0,18 euro për kokërr. Operatorët theksojnë se nuk ka vend për panik, pasi përhapja e influencës aviare nuk prek konsumatorin” – thuhej ndër të tjera në këtë artikull.
Nga ana tjetër, në një deklaratë për mediat më 25 mars, zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci argumentonte se rritja e çmimit të vezëve kishte ardhur edhe si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Shqetësimi ynë është pakësimi i tufës, një nga vendet më të mëdhenj eksportues të vezëve është Ukraina, dhe kjo ka sjellë edhe një rritje çmimesh”- deklaronte zv.ministrja e Bujqësisë.