Pretendimi: Ndryshimet e klimës nuk janë pasojë e ngrohjes globale, por të programeve qeveritare të mbjelljes së reve

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Praktika e “mbjelljes së reve” (cloudseeding), një metodë e zhvilluar për të luftuar pasojat e ngrohjes globale, po akuzohet në hapësirat konspiracioniste se është vetë shkaktarja e ndryshimeve klimaterike.

Siç Faktoje ka shpjeguar dhe më parë, teknika e ‘mbjelljes së reve’ (cloud seeding) është një lloj modifikimi i motit që ka për qëllim ndryshimin e sasisë ose llojit të reshjeve që bien nga retë duke shpërndarë në ajër substanca që shërbejnë si kondensim për retë, duke modifikuar porceset mikrofizike në brendi të resë.

Megjithëse programe të mbjelljes së reve janë zbatuar nga qeveri të ndryshme të botës që në vitet 1950, efektiviteti i kësaj teknike në nxitjen e reshjeve mbetet i debatuar. “Deri më tani,” thotë ekologu Rob Jackson nga Universiteti i Stanford, “të bësh që të bjerë shi është ende më shumë art sesa shkencë.”

Si me një sërë shënjestrash të tjera të konspiracionistëve, për shembull sistemi HAARP, fuqitë mbinatyrore që i vishen procesit të mbjelljes së reve duket se lindin nga moskuptimi i procesit.

Përballë kësaj teorie konspirative, shkencëtarët e klimës pohojnë se mbjellja e reve thjesht nuk është një teknologji aq e avancuar sa të shkaktojë përmbytje apo ndryshime klimaterike. 

“Teknika më e zakonshme – në fakt e vetmja teknikë e modifikimit të motit në përdorim të gjerë – është mbjellja e reve në një përpjekje për të rritur nivelin e reshjeve. Teknologjia është mjaft rudimentare, dhe rezultatet janë shumë të lokalizuara,” tha një zëdhënës i Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane për Reuters.

Steven Siems, bashkëkryesues i Ekipit të Ekspertëve të Organizatës Botërore Meteorologjike (ëMO) për Modifikimin e Motit, tha se “nuk është aspak e mundur që përpjekjet tona të sotme të qëllimshme për modifikimin e motit të jenë përgjegjëse për ndryshimet tona të paqëllimshme në klimë përmes emetimeve të gazeve serrë. Çdokush që propozon ndonjë gjë të tillë është krejt injorant sa i përket shkencës si të ndryshimit të klimës si të modifikimit të motit.”

Disa ekspertë shpresojnë se modifikimi i motit mund të ndihmojë një ditë për të luftuar efektet e ndryshimeve klimatike. 

“Disa shkencëtarë besojnë se njerëzit duhet të luftojnë ndryshimet klimatike duke zvogëluar sasinë e dritës së diellit që arrin në Tokë përmes një ose më shumë teknikave të gjeoinxhinierisë diellore,” tha zëdhënësi nga NOAA. “Gjeoinxhinieria diellore do të synonte modifikimin e klimës, e cila nga ana tjetër do të ndikonte në modelet globale të motit. Asnjë nga këto teknika nuk është hetuar tërësisht.”