BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëNdreu premtoi rindërtimin e dy pallateve në Lezhë, por njëri ende nuk është shembur

Ndreu premtoi rindërtimin e dy pallateve në Lezhë, por njëri ende nuk është shembur

Lezha është një nga bashkitë që u godit nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, që dëmtoi shtëpi, pallate dhe shkolla. Rreth 2 muaj pas tërmetit, në një mbledhje të këshillit bashkiak, kryetari i Bashkisë Lezhë, zoti Pjerin Ndreu premtoi se do të investoheshin 2 milionë euro në ndërtimin e të paktën 40 banesave të reja dhe dy pallateve. Faktoje verifikoi se çfarë është bërë deri më sot me përmbushjen e këtij premtimi.


Më 6 shkurt 2020, gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak në Lezhë, kryetari i bashkisë, zoti Pjerin Ndreu, edhe pse ishte jashtë kompetencave të tij, premtoi rindërtimin e të paktën 40 banesave të reja, së bashku me dy nga pallatet e dëmtuara nga tërmeti, saktësisht, pallatit 88 në lagjen Skandërbeg dhe atij pranë rrethrrotullimit në hyrje të Lezhës.

“Bashkia Lezhë vetë, me negociatat e veta, ka sot të mbuluar rindërtimin e të dy pallateve në fjalë që mund të fillojnë punë brenda javës tjetër.

[Nga një shoqatë] Do të investohen 2 milionë euro për ndërtimin e minimalisht 40 banesave të reja.”- u shpreh Ndreu.

“Faktoje” shkoi në Lezhë më 27 tetor 2020, saktësisht 11 muaj pas tërmetit. Ne pamë fillimisht pallatin në hyrje të qytetit të Lezhës, për të cilin jo vetëm që nuk bëhej fjalë të ishte rindërtuar, por ende nuk ishte shembur.

Lezhë, 27 tetor 2020

Pallati ishte i boshatisur, por rreth tij nuk ishte vendosur sinjalistika që të njoftonte për ndonjë plan shembjeje.

Lezhë, 27 tetor 2020

Verifikimin e vazhduam në vendin ku u premtua rindërtimi i pallatit 88 në lagjen Skandërbeg.

Rrënojat e pallatit 88, foto 27 tetor 2020 

Pallati ishte shembur dhe pjesa më e madhe e inerteve ishte pastruar, por vendi nuk ishte kthyer ende në një kantier të mirëfilltë ndërtimi, dhe as tabela e punimeve nuk ishte vendosur në këtë zonë.

Ne folëm me një ish banore të këtij pallati, e cila na konfirmoi se familja e saj orej 4 anëtarësh, trajtohet me bonus qeraje. Sipas saj puna në rrënojat e pallatit të vjetër sapo ka filluar.

“Ky pallat ka qenë 3 kate, me shtesa. Dy ditë kanë që i kanë hequr mbeturinat. Ka ardhur një kosovar dje, dhe ishin edhe këta të bashkisë, nënkryetari dhe të tjerë. Po nesër nuk e di çfarë do bëjnë. Kanë hapur kanalizimet.”-i tha ajo Faktojes.

Rrënojat e pallatit 88, 27 tetor 2020

Ne biseduam edhe me një banore tjetër të kësaj zone, që tregon:

“Unë kam 3 kurora në shtëpi dhe jemi 9 veta. Unë nuk jetoja në këtë pallat, por në shtëpinë private ngjitur dhe ajo më është prishur. Më kanë thënë që do më japin apartament në pallatin e ri që do të ndërtohet.”

Bashkia Lezhë, në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, më 13 nëntor na bëri me dije se me vendim të këshillit bashkiak është miratuar shembja e 10 pallateve dhe 3 godinave shkollore, por deri tani është shembur vetëm një shkollë dhe një pallat. Ky institucion shtoi gjithashtu se në pallatin 88 po punohet për rindërtim.

Pavarësisht se ky premtim është jashtë kompetencave të Bashkisë Lezhë, ne do ta konsiderojmë të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img