Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendon se tregon ndihmat turke duke hyrë në Gaza. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në të vërtetë tregon ndihmat turke për banorët e Gazës duke u dërguar në Egjipt. Rripi i Gazës vijon të jetë nën bllokadë.

———————–

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahet një video e transportit të pakove të ndihmave nga Turqia për popullin palestinez. Video shoqërohet me pretendimin se tregon ndihmat turke duke hyrë në Gaza. Deri në momentin e këtij shkrimi, video është parë mbi 6 mijë herë.

Duke marrë parasysh se Gaza është në bllokadë të plotë nga Izraeli që në 9 tetor, Faktoje vendosi të verifikojë këtë pretendim.

Me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se pamjet nuk tregojnë ndihmat turke duke hyrë në Gaza, por në Egjipt.

Mediat egjiptiane raportuan, në 13 tetor, se ndihmat në video, të dërguara nga Turqia, mbërritën në aeroportin Al-Arish në rajonin egjiptian të Sinait Verior. Ato iu dorëzuan përfaqësuesve nga Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, një organizatë humanitare.

Njësoj, media turke A Haber transmetoi videon e mësipërme në 13 tetor si pjesë e një kronike mbi mbërritjen e ndihmave turke për Gazën në Egjipt.

Ndihmat turke për Gazën në Egjipt

Në 13 tetor, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dha lajmin se “avioni i parë i ngarkuar me ndihmat tuaja ka zbarkuar. Pakot e ndihmave u përftuan për Gazën me dhurimet tuaja dhe të cilat arritën në Egjipt po ngarkohen nëpër kamionë në aeroportin Al-Arish.”

Nuk dihet kur këto ndihma do të arrijnë Gazën. 

13 tetor, presidenti turk Erdogan tha se Izraeli duhet të lejojë ndihmat humanitare të hyjnë në Rripin e Gazës nëpërmjet pikës kufitare me Egjiptin në Rafah. Kjo pikë është e vetmja nga e cila ndihmat mund të hyjnë. 

Ndërkohë, më 16 tetor, Egjipti tha se Izraeli nuk po tregohej bashkëpunues sa i përket dërgesës së ndihmave në Gaza, duke lënë qindra tonë ndihma të bllokuara. Sipas Kairos, pika e kalimit në Rafah nuk është zyrtarisht e mbyllur, por është bërë jofunksionale si pasojë e bombardimeve izraelite.

Agjencia e OKB për Ndihmën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka konfirmuar se nuk ka patur furnizime që kanë hyrë në Gaza për UNRWA apo ndonjë agjenci tjetër të OKB. “Asnjë furnizim nuk ka hyrë në Gaza që në 7 tetor,” tha Juliette Touma, drejtoreshë e komunikimit për UNRWA. “Asgjë – as karburant, as ushqime, as ujë, as ndonjë lloj tjetër ndihme.”

Mbi 2.3 milionë banorë jetojnë në Rripin e Gazës, ende nën bllokadën izraelite.

Më 19 tetor, presidenti amerikan Joe Biden tha se Izraeli kishte rënë dakort të lejonte kalimin e rreth 20 kamionëve me ndihma në ditët në vijim.