Bashkia e Dibrës ende nuk ka nisur punën në terren për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e plotë të trotuarëve të qytetit të Peshkopisë. Ndonëse ndërhyrja është në listën e prioriteteve të kryetarit të Bashkisë Rahim Spahiu, situata në terren flet ndryshe. Bashkia konfimoi për Faktoje se puna për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e plotë të trotuarëve është në proces, por verifikimi në terren nxjerr në pah të kundërtën.
Esmeralda Topi
“Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i plotë i trotuarëve në qytet.”
Ky është një nga prioritetet që Bashkia e Dibrës na vuri në dispozicion, pas kërkesës për informacion që Faktoje i dërgoi në kuadër të projektit National Endowment Democracy (NED), që ka si qëllim verifikimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.
Përgjigja e Bashkisë Dibër, 26 shtator 2022
Për shkak të rëndësisë dhe interesit të lartë publik që ka kjo çështje ne vendosëm ta verifikonim edhe në terren. Faktoje ishtë në Peshkopi më 3 tetor, për të parë nga afër se në çfarë faze ishte premtimi i kryetarit të Bashkisë Dibër Rahim Spahiu për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e plotë të trotuareve.
Peshkopi, 3 tetor 2022
Për të bërë verifikimin mbi gjendjen e trotuareve të qytetit, ne përshkuam në këmbë lagjet e qytetit të Peshkopisë. Verifikimin e nisëm në një nga rrugët kryesore të qytetit, “Klodian Tanushi”.
Trotuari në rrugën Klodian Tanushi, Peshkopi 3 tetor
Siç mund të shihet edhe nga fotografitë, gjendja e trotuarit në këtë rrugë është e mjerueshme. “Shikojini vetë, këtu ka kohë që nuk vihet dorë në shumë gjëra” – tha për Faktoje një banore e Peshkopisë. Një tjetër banor shtoi se veç trotuarëve një tjetër problematikë lidhet me gjendjen e rrugëve brenda qytetit. “Rruga e spitalit është mizerje, ka degraduar dhe askush nuk ndihet për ta rregulluar.”
Trotuarë në Peshkopi, 3 tetor 2022
Fotografitë më poshtë janë shkrepur në vende të ndryshme të qytetit, por problematika mbetet e njëjtë. Pjesa dërrmuse e trotuareve ka nevojë urgjente për ndërhyrje.
Trotuarë në Peshkopi, 3 tetor 2022
Banorët thonë se situata vështirësohet edhe më shumë gjatë dimrit për shkak të temperaturave të ulëta dhe prezencës së borës dhe ngricave. Ndërkohë, përpara se të niseshim për verifikimin në terren, më 30 shtator Faktoje iu drejtua me një tjetër kërkesë për informacion Bashkisë së Dibrës për të mësuar se në çfarë faze ishte rikonstruksioni dhe rehabilitimi i plotë i trotuarëve.
Kërkesa për infromacion drejtuar Bashkisë Dibër, 30 shtator
Në një përgjigje të dhënë pak ditë më vonë, Bashkia e Dibrës shkruante se puna për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e trotuarëve të qytetit është në proces.
Por nga verifikimi që bëmë në çdo cep të Peshkopisë na rezultoi se puna për rehabilitimin apo rikontruksionin e plotë të trotuareve ende nuk ka nisur në terren.
Edhe kryetarët e mëparshëm të bashkisë Dibër e kanë pasur në listën e premtimeve ndërhyrjen në trotuarët e qytetit të Peshkopisë. Në projekt-buxhetin e viteve 2019-2021 të Bashkisë Dibër shkruhej:
“Rigjenerimi i qytetit të Peshkopisë, falë ndërhyrjes në krijimin e qendrave të lulëzuara, me trotuare dhe rrugica të rregullta, artistikisht prekëse, me të gjitha lehtësirat e nevojshme për qytetarët, duke ruajtur vlerat historike, parqet rikreative, me arkitekturë miqësore të pëlqyeshme për banorët dhe vizitorët.”
Sipas të dhënave zyrtare nga Instat, Bashkia e Dibrës numëron 109.585 mijë banorë dhe Peshkopia është qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm i këtij qarku.
Nisur nga verifikimi në terren, premtimin për “Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i plotë i trotuarëve në qytet ” do ta kategorizojmë si Të Pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.