Asnjë provë për shtretërit çudibërës MedBed që shërojnë kancerin

6

Pretendimi: Qendrat MedBed shërojnë plotësisht kancerin brenda 2 orësh pa asnjë efekt anësor

Veridkti: E paprovuar

———————————————————————————————-

Shtretërit mjekësorë çudibërës, të quajtur ‘medbeds’, vijojnë të ngërthejnë imagjinatën dhe shpresën e rrjeteve konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse.

Një postim që po qarkullon në këto rrjete prezanton një krahasim mes dy përvojave “krejtësisht të ndryshme” pas diagnostikimit me kancer të fazës së tretë. E para, në një spital, kushton mijëra dollarë, zgjat mbi një vit, ka gjasa të ulëta mbijetese dhe efekte anësore. E dyta, në një “qendër medbed” përshkruhet si një procedurë mrekullibërse që nuk kushton asgjë, përfundon për 2 orë, ka shkallë mbijetese 100% dhe asnjë efekt anësor.

Nëse e gjitha ju duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë, kjo sepse nuk është e vërtetë. 

Paçka pretendimit se “kjo nuk është fantazi”, që përmbyll postimin, “shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds”, janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Medbeds reklamohen si të kenë aftësi mrekullibërëse për të shëruar një sërë sëmundjesh dhe madje dhe për të kthyer pas procesin e plakjes. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhej president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.

Sigurisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk ofrohet asnjë provë.

Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. 

Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.

Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”

Ç’është më e trishtë, kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore. 

Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.

Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar, një mënyrë për t’u ruajtur nga paditë e mundshme që përdoruesit mund të sjellin kundër tyre kur shtrati çudibërës të rezultojë jo aq i plotfuqishëm sa shitet.

Sipas Associated Press, kanale të dedikuara në Telegram i përkushtohen diskutimeve rreth medbeds dhe se kur dhe ku do të vijnë ato. “Po kërkoj dëshpërimisht ndonjë ndihmë nga të gjithë për t’iu përgjigjur lutjeve të mia për një kurë për kancerin e djalit tim,” shkroi një grua në një kanal Telegrami në New Jersey.

Faktoje ka përgënjshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds.