Nga Barbara Halla – Edhe pse është mohuar nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, mediat shqiptare vazhdojnë të qarkullojnë narrativa për pranimin e refugjatëve palestinezë nga Shqipëria.

Në një video të pak ditëve më parë, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump bëri komente që nuk e përjashtonin Shqipërinë si një vend të mundshëm pritës për palestinezët e shpërngulur nga Gaza. Ndërkohë që ky pohim u mohua shpejt nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, disa media shqiptare vazhduan të qarkullojnë dhe të amplifikojnë këtë narrativë, duke shtuar gjithashtu edhe narrativat që e shohin planin e Trump për pastrimin etnik të Gazës si një marrëveshje të arritur.

Por ky nuk është një lajm i papritur. Në fund të janarit, në mediat shqiptare filloi të qarkullojë lajmi se Shqipëria do të pranojë 100,000 palestinezë të zhvendosur nga Gaza. Lajmi u hodh poshtë nga Kryeministri Edi Rama, megjithatë spekulimet kanë vazhduar si në mediat tradicionale, dhe në ato sociale, sidomos pasi Presidenti i SHBA-së foli për një plan për të zbrazur rripin e Gazës vetëm një jave më parë. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që të konfirmojë këtë zhvendosje, që për më tepër do të ishte e paligjshme sipas statuteve të Kombeve të Bashkuara mbi spastrimin etnik.

Me datë 27 janar, analisti politik izraelit për kanalin 12 News (një nga kanalet më të mëdha dhe të njohura në vend), postoi në platformën X/Tëitter një shkrim ku pretendohej se administrata e Presidentit Trump është në diskutime me Tiranën, ku mund të migrojnë deri në 100,000 persona nga Gaza.

“Burime izraelite besojnë se Egjipti dhe Jordania do të refuzojnë një pjesë të refugjatëve, dhe pretendojnë se opsione si Shqipëria dhe Indonezia janë më të mundshme,” shkruan Segal.

Ky postim i Segal, që mbështetej vetëm në deklarata të paqarta dhe “burime të brendshme” mori dhenë edhe si pasojë e kohës kur u botua. Presidenti Trump deklaroi me datë 4 shkurt se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Gazës dhe të zhvendosin përgjithmonë të gjithë popullsinë palestineze, të cilët do t’i shpërndanin në zonat fqinje, si Jordani dhe Egjipt.

Deklarata e Trumpit u prit me zemërim dhe mosbesim nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë edhe liderët botëror. Hetuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Palestinë i tha gazetës “Politico” se plani është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar dhe “përbën spastrim etnik”

Në Shqipëri, lajmi u përhap si i mirëqënë nga disa nga kanalet më të mëdha të vendit, edhe pse ai ende nuk ishte konfirmuar as nga qeveria e Izraelit, apo nga ajo e Tiranës.

Disa nga këto lajme përdorën edhe një gjuhë që përcillte frikën tek lexuesi, duke i përshkruar palestinezët si “luftëtar të Hamasit” nga të cilët duhet të kemi frikë.

Ky pretendim qarkulloi po ashtu në mediat sociale, ku numrat e përfolur në mediat izraelite u ekzagjeruan edhe më tej, duke folur tashmë për “1 milion” palestinezë që priten të vijnë në Shqipëri.

Kryeminstri Edi Rama e hodhi poshtë menjëherë lajmin. Po në rrjetin social X/Tëitter, Rama i është përgjigjur gazetarit Amit Segal duke e përgënjeshtruar pretendimin. “Kam kohë që nuk dëgjoj diçka kaq të rreme dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Nuk është absolutisht e vërtetë.

Kemi respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili është dehumanizuar nga regjimi i egër i Hamasit dhe ka duruar një luftë djallëzore pas tmerreve mesjetare të 7 tetorit. Por më lejoni të jem i qartë: askush nuk i ka kërkuar Shqipërisë një gjë të tillë dhe ne as nuk mundemi ta marrim përsipër këtë lloj përgjegjësie,” ka shkruar Rama.

Shumica e mediave e shpërndanë lajmin mbi Gazën të shoqëruar nga mohimi i Ramës. Megjithatë, ka dhe prej atyre që e kanë përhapur deklaratën e Ramës me skepticizëm, duke thënë se Izraeli ende nuk e ka refuzuar pretendimin, duke vazhduar kështu ciklin me pretendimet e pabaza. Të tjerë kanë vazhduar ta qarkullojnë si të mirëqenë, edhe pas deklaratës së Ramës.

Edhe përse lajmi për Shqipërinë është i pavërtetë, rreziku qëndron për popullsinë e Gazës, duke qënë se presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë mbi planin e tij për zhvendosjen e popullsisë palestineze kundra ligjit ndërkombëtar, sidomos kur ky plan duket të ketë mbështetjen e qeverisë izraelite.