.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingMuzeu Etnografik në Durrës ende nuk i është nënshtruar restaurimit

Muzeu Etnografik në Durrës ende nuk i është nënshtruar restaurimit

Në mars të këtij viti, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako premtoi rehabilitimin e disa monumenteve të kutlurës, të cilat pësuan dëme nga tërmeti i nëntorit 2019. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se ka nisur puna në të gjithë monumentet që financon BE, ndërsa për Muzeun Etnografik nuk ka ndonjë shenjë për nisjen e restaurimit. Në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Durrës thuhet se ky objekt nuk është në juridiksionin e saj, por të Ministrisë së Kulturës.

————————————————————————————–

“Rehabilitimi i gjithë zonës së Amfiteatrit dhe qendrës historike të Durrësit, rehabilitimi i monumenteve tona të kulturës, Torra Veneciane, Muzeu Arkeologjik, Muzeu Etnografik, e shumë e shumë asete të tjera me të cilat Durrësi dhe e gjithë Shqipëria krenohet, do të bëjnë të mundur që Durrësi të zhvillohet si qytet jo sezonal, jo vetëm për tre muaj gjatë verës, por të ketë një shtrirje gjithë vjetore.”, deklaroi kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako në mars të këtij viti.

Në lidhje me këtë deklaratë të zonjës Sako, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit, ku e pyetëm mbi ecurinë e punimeve në këto objektetë trashëgimisë kulturore.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 19 shtator 2022

Në përgjigjen zyrtare, Bashkia e Durrësit përgjigjet vetëm në lidhje me rehabilitimin e zonës së Amfiteatrit ku bën të ditur:

“Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka dorëzuar pranë Bashkisë Durrës projektin e detajuar arkitektonik për zonën TID Durrësi dhe do vijojë me proceset e mëtejshme të miratimit të Projektit, marrjen e lejeve dhe autorizimeve përkatëse nga autoritetet kompetente”.

Për sa i përket pyetjeve të tjera, ky institucion thekson se nuk janë përgjejgjësi e saj, por e Ministrisë së Kulturës.

Përgjigjia e Bashkisë Durrës, 3 tetor 2022

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Kulturës, tw cilwn e pyetëm për secilin prej këtyre objekteve kulturore.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Kulturës, 30 shtator 2022

Në përgjigjen zyrtare që mban datën 20 tetor, Ministria e Kulturës jep detaje për secilin prej këtyre objekteve. Për sa i përket rehabilitimit të zonës së Amfiteatrit dhe qendrës historike të Durrësit, Ministria e Kulturës sqaron:

“Ju bëjmë me dije se puna për rehabilitimin e Amfiteatrit nuk ka filluar. Me Vendimin Nr. 461, datë 16.09.2022 të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale është miratuar projekti ‘Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektivë TID në Parkun Arkeologjik të Durrësit’. Projekti konsiston në: Rehabilitimin e plotë të zonës përreth Amfiteatrit, restaurim i objekteve përgjatë Bulevardit Epidamn; Rehabilitim i rrugëve, shtigjeve dhe shesheve urbane; Trajtim i zonës pedonale përgjatë Bulevardit Epidamn; Infrastrukturë mbi dhe nëntokësore; Projekti financohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Sqarojmë gjithashtu se qyteti i Durrësit nuk ka qendër historike të shpallur, por vetëm zona arkeologjike ‘A’ dhe ‘B’ të shpallur me VKM nr. 786, datë 26.12.2018 ‘Për miratimin e zonave arkeologjike’ ‘A’ dhe ‘B’, të qyetit të Durrësit dhe të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”.

Ndërkohë, ky institucion bën të ditur se rehabilitimi i Torrës Veneciane është në proces dhe projekti është financuar nga Bashkimi Europian.

“Rehabilitimi i Torrës Veneciane është në proces. Ndërhyrjet restauruese në Torrën Veneciane konsistojnë në ruajtjen e karakteristikave origjinale të objektit të kërcënuar seriozisht nga tërmeti i shtatorit 2021. Ro kyç në këtë ndërhyrje luan integrimi i origjinalitetit të kësaj pasurie kulturore me funksionin e ri si Info-point, si pikënisje e itinerarit turistik, i cili do të lidhë parkun arkeologjik me zonën muzeore Durrës, më e nevojshme dhe optimale funksionale për ta bërë godinën sa më të përshtatshme, me standardet bashkëkohore të një info point të risjellë me një qasje moderne nëpërmjet teknologjisë. Puna ka filluar në Janar 2021 dhe parashikohet të përfundojë në dhjetor 2022. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, Shqipëri”, sqaron Ministria e Kulturës.

Edhe në Muzeun Arkeologjik ka nisur puna për restaurimin e tij:

“Projekti për Muzeun Arkeologjik Durrës është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale me Vendim nr. 415, datë 24.08.2022. Projekti parashikon rehabilitim tërësor të Muzeut Arkeologjik në interier dhe eksterier, ndërhyrje restauruese, sistemime të jashtme për përshtatjen e hapësirave në funksion të muzeut, rikonceptimi i linjës muzeale duke përfshirë sisteme bashkëkohore të teknologjisë. Zbatimi i projektit ka filluar në muajin shtator 2022. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, Shqipëri”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Kulturës.

Për sa i përket Muzeut Etnografik, Ministria e Kulturës njofton se nuk ka nisur puna për restaurimin e tij: “Ju bëjmë me dije se puna në këtë objekt nuk ka filluar. Për objektet në të cilët nuk ka filluar zbatimi i punimeve, jemi në pritje të njoftimit nga subjektet zbatuese”.

Verifikimi në terren

Faktoje bëri një verifikim në qytetin e Durrësit më 7 tetor, ku pamë nga afër si po ecte procesi i rehabilitimit të këtyre objekteve kulturore. Në Torrën Veneciane kishte nisur puna për rehabilitimin e saj.

Torra Veneciane, 7 tetor 2022

Në Muzeun Arkeologjik po punohej në momentin që Faktoje ishte për verifikim, ndërsa objekti ishte i gjithi i rrethuar.

Muzeu Arkeologjik, 7 tetor 2022

Edhe amfiteatri ishte i rrethuar dhe kishte një tabelë të projektit ‘EU4culture’, ku tregohej se aty po kryheshin punime.

Amfiteatri Durrës, 7 tetor 2022

Ndërsa Muzeu Etnografik ishte i mbyllur dhe nuk kishte asnjë tabelë që të lajmëronte se aty po kryheshin punime. Qytetarë të Durrësit thanë për Faktoje se godina është dëmtuar që prej nëntorit të vitit 2019, kur ra tërmeti dhe që prej asaj kohe ka qëndruar i mbyllur”.

Muzeu Etnografik, 7 tetor 2022

Në janar të këtij viti, Faktoje raportoi se projekti për transformimin e qendrës historike të qytetit të Durrësit nuk kishte nisur ende të zbatohej, pavarësisht premtimit të bërë nga kryebashkiakja Emiriana Sako. Zyrtarisht Bashkia e Durrës theksonte për Faktoje se nuk ishte miratuar fond në buxhet.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img