AURORA SHPATAJ & ALKED LUKU
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi gjatë seancës së fundit të sesionit parlamentar se shumë shpejt do të vijnë vaksinat Johnson&Johnson. Më herët edhe zyrtarja e ISHP Silva Bino kishte garantuar ardhjen e vaksinave të reja, por pa dhënë një afat. Nga komunikimi zyrtar me MSH, Faktoje mësoi se vaksinat Johnson&Johnson mbërrijnë në janar 2022, por nuk bëhet e ditur sasia që pritet.
“Pak ditë më parë mbërritën mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer, ndërsa priten së afërmi edhe 375 mijë doza vaksine përmes mbështetjes së Bashkimit Europian. Siç presim të kemi sasinë e parë të vaksinave Johnson &Johnson nga Covax së shpejti.”- tha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë fjalës në Kuvend, më 20 dhjetor.
Ardhjen e vaksinave Johnson&Johnson e lajmëroi më herët edhe shefja e departamentit të Epidemiologjisë në ISHP Silva Bino, e cila më 30 nëntor të këtij viti gjatë një interviste në “Zona Zero” në Top News u zotua:
“Ne në vendin tonë kemi larmishmëri vaksinash. Shumë shpejt pritet të vijë edhe Johnson&Johnson.”
Nisur nga këto deklarata, Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion më datë 2 dhjetor për të marrë informacion se kur priten të vijnë vaksinat Johnson&Johnson në Shqipëri.
Kërkesa dërguar Ministrisë së Shendetësisë, datë 2 dhjetor 2021
Sipas përgjigjes së Ministrisë së Shëndetësisë vaksinat Johnson&Johnson priten të vijnë në janar të vitit 2022, nëpërmjet instrumentit COVAX. Por në përgjigjen zyrtare nuk sqarohet se sa është sasia e dozave që do vijnë në Shqipëri.
Përgjigja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë
Vaksina Johnson&Johnson është e çertifikuar nga EMA me datë 11 mars të këtij viti për të parandaluar Covid-19 tek personat nga mosha 18 vjeç e sipër.
Njohjen e vaksinës nga EMA të vaksinës Johnson&Johnson e lajmëroi drejtori ekzekutiv i saj, i cili u shpreh se kjo është vaksina e parë që mund të përdoret si një dozë e vetme.
“Me këtë opinion pozitiv të fundit, autoritetet në të gjithë Bashkimin Evropian do të kenë një mundësi tjetër për të luftuar pandeminë dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të tyre. Kjo është vaksina e parë që mund të përdoret si një dozë e vetme.”- tha Drejtori Ekzekutiv i EMA, Emer Cooke.
Ministria e Shëndetësisë deklaron se janë aplikuar 1,141,486 doza të para, 1031,132 doza të dyta dhe 143,988 doza të treta të vaksinës anticovid ku përfshihen edhe qytetarët shqiptarë që janë vaksinuar jashtë, ku 1 milion të tilla janë prodhim i kompanive Sinovac dhe Coronavac, ende të pamiratuara nga EMA dhe FDA.
Faktoje do të monitorojë mbajtjen e afateve të deklaruara nga autoritetet e Shëndetësisë për mbërritjen e vaksinën Johnson&Johnson në Shqipëri.