Burime jo të besueshme në rrjet pohojnë se për shkak të mungesës së burrave, Islanda ofron të paguajë emigrantët për t’u martuar me gratë islandeze. “Faktoje” vërteton se ky është një premtim tepër i bukur për të qënë i vërtetë.
Jona Plumbi
“Prej disa vitesh, qeveria e Islandës po ofron të ardhura mujore në masën e 5 mijë eurove, për të gjithë ata meshkuj që vendosin të martohen me femrat që kanë shtetësi islandeze”. Kështu nis artikulli i publikuar nga portal Lajmeflash në 24 dhjetor, duke pretenduar se Islanda po përballet me një krizë demografike, ndaj ka aplikuar këtë politikë nxitëse.
Përballë premtimeve të tilla për një martesë dhe të ardhura të bollshme shumë të rinj shqiptarë mund të gënjehen dhe marrin rrugën drejt Islandës. “Faktoje” verifikoi më tej vërtetësinë e këtij lajmi.
Me një kërkim të thjeshtë në rrjet, çdokush e kupton se ky është një informacion i ricikluar. Kjo sepse, si fillim ky informacion është shpërndarë për herë të parë online në vitin 2016.
Në atë periudhë, mediat islandeze u detyruan të përgënjeshtrojnë lajmin, pasi njoftuan se shtetaset e Islandës ishin “bombarduar” nga kërkesa për miqësi në rrjetin social Facebook nga njerëz të panjohur. Ato përgënjeshtronin edhe pretendimet mbi të cilat bazohej informacioni i rremë, duke sqaruar se në 2016-ën, në kryeqytetin e Islandës, Reykjavik, kishte një raport pak a shumë të barabartë me 985 meshkuj për çdo 1.000 femra, ndryshe nga sa pretendon artikulli.
Lajmi vijoi të përhapej në rrjet edhe në 2017-ën nga burime të ndryshme.
Ministria e Punëve të Jashtme të Islandës, asokohe njoftoi se të gjitha kërkesave të ardhura për informacion të mëtejshëm për mënyrën e dhënies së parave në këmbim të martesës, institucioni i është përgjigjur duke thënë se lajmi është plotësisht i pavërtetë.
Njëkohësisht, ambasada daneze në Egjipt, e cila menaxhon edhe përfaqësimin e Islandës për rajonin, publikoi një njoftim në rrjetin social Facebook, pasi vuri re një numër të lartë qytetarësh egjiptianë, të cilët kërkonin informacion për mënyrën sesi të martoheshin në Islandë. Ajo theksoi se lajmi për dhënien e granteve për këdo që martohet me një vajzë nga Islanda, është i rremë.
Shpresojmë që lajmi i ripublikuar nga portali shqiptar në vitin 2022 të mos krijojë përsëri fluks kërkesash nga Shqipëria për vajzat islandeze dhe një tjetër problem për përfaqësitë e saj diplomatike.