INVA HASANALIAJ
“Për herë të parë në 20 vjet ne importojmë mish qengji nga jashtë, që nuk e kemi importuar në 20 vite”- kështu u shpreh në një prej emisioneve televizive kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në datën 27 prill 2018.
Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” vendosi të komunikojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për të mësuar se në cilin vit vendi ynë ka filluar të importojë mishin e qengjit.
Nga komunikimi që patëm me këtë institucion mësuam se nga viti 2005 , pothuajse çdo ditë në Shqipëri nga doganat tokësore e detare, futen tonelata mish qengji. Janë 3 657 655 kg mish që nga viti 2005 deri në 2018 që kanë hyrë nga të gjitha doganat drejt vendit tonë, ndërsa vlera e kësaj sasie shkon 614 130 271 milion lekë.
Ky produkt vjen nga importi dhe pjesën më të madhe të rasteve u serviret shqiptarëve për konsum si mish vendi. Konsumatorët shqiptarë, mendojnë se mishi është i tillë dhe jo vetëm që e konsumojnë, por e blejnë edhe me çmim si mish vendi.
Për të qenë sa më korrekt në lidhje me deklaratën e kryetares së LSI-së, “Faktoje” e trajtoi atë edhe në kontekstin e sasisë së mishit të qengjit të importuar në Shqipëri, nëse një gjë e tillë ka qenë e nënkuptuar nga Monika Kryemadhi. Sipas të dhënave zyrtare, mishi i qengjit ka filluar të importohet në vitin 2005 në vendin tonë, kështu që politikania Kryemadhi nuk është korrekte edhe përsa i përket periudhës kohore kur përmend 20 vitet e importit të këtij produkti. Nga 2005-a, viti kur sipas zyrtarëve ka filluar importi i mishit të qengjit e deri tani, shënohen 14 vite (nëse përfshijmë edhe 2019) dhe jo 20. Gjithashtu sipas llogaritjeve nisur nga të dhënat e disponuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nga viti 2005 deri në vitin 2017 janë importuar 3,655,178 mijë ton mish qengji, ndërsa për vitin 2018 janë 1766,96 mijë ton. Thënë ndryshe, sasia e mishit që ka hyrë nga doganat shqiptare për vitin 2018 nuk e tejkalon sasinë e mishit krahasuar me vitet paraardhëse.
Pra prej 15 vitesh shqiptarët kanë konsumuar dhe po vazhdojnë të konsumojnë mish qengji të importuar. Nisur nga të dhënat që disponojmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, deklaratën e Monika Kryemadhit do ta kategorizojmë si “Gënjeshtër”.