KLODIANA KAPO
Politikanët zgjedhin gati gjithnjë të vishen më të njëjtin stof. Nuk e di nëse është çështje shijesh! Besoj më fort se është një zgjedhje dhe zgjidhje për të qenë pjesë e salloneve të mëdha e të fuqishme, që ata vetë kanë ndërtuar ndër vite. Premtimi, një mjeshtëri që në këto ambjente e mëson dhe madje e perfeksionon. Është mjeti që të çon drejt suksesit, por a është i duhuri?
Ish-drejtuesi i Bashkimit Sovjetik Nikita Khrushchev, ka thënë se politikanët do të premtojnë ndërtimin e urave edhe kur poshtë nuk ka lumenj. Vërtetësia është një rrugë e mundimshme që kalon përmes punës së palodhur dhe përgjegjshmërisë së lartë. Si e tillë, është pak e preferuar.
Ashtu siç thotë dhe DaShanne Stokes, autor dhe aktivist progresiv:
“E vërteta është e vështirë, ndërsa propaganda është e lirë”.
Nëse përpiqesh të gjesh një emër politikani që nuk ka gënjyer asnjëherë e që çdo premtim të dhënë e ka mbajtur do të jëtë një kërkëim i vështirë, gati-gati i pamundur. Premtimi, që të kthehet në realitet, kërkon përkushtim.
Shqipëria ky vend i vogël me demokraci të brishtë, është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Krerët e partive politike premtojnë atë që qytetarët duan të dëgjojnë: rritje të pagave, të pensioneve, të vendeve të punës, të ekonomisë, zhvillim të transportit, por edhe të turizmit.
Muzikë e ëmbël për veshët e lodhur e sytë e mpakur të qindra mijëra shqiptarëve, që mezi mbyllin muajin. A besojnë vërtet në këto premtime? E vështirë të përgjigjem për të gjithë. Ajo çka di dhe jam e sigurt është se sot një gazetar duhet të jetë kurioz, dhe e ka detyrim të pyesë si do të realizohen këto premtime dhe nëse secila prej tyre ka një faturë të qartë financiare.
Kjo do të dëshmonte se realizimi i premtimeve të dhëna nga klasa politike janë pjesë e një strategjie të mirëmenduar, por edhe të buxhetuara sipas një plani kohor të realizueshëm.
Por pse verifikimi i premtimeve duhet të jetë i rëndësishëm për qytetaret? Sepse ata duhet te jenë indikatorët realë të vlerësimit të punës së çdo qeverie që vjen për të marrë detyrën e rëndë që të përmisojë çdo ditë jetën e qytetarëve të saj. Vendimmarrja më e rëndësishme qytetarë, që kalon përmes votës, nuk mund të jetë e duhura nëse nuk është një vendimmarrje e informuar.
Në vitin 2013 u premtua se borxhi publik do të ulej deri në 60% të prodhimit të brendshëm bruto. A u mbajt ky premtim? Nga verifikimi i Faktojes rezulton se deri në vitin 2020 borxhi është rritur me 83% . Rritja e buxhetit te arsimit me 5% të PBB është një tjetër premtim i pambajtur, i përseritur gjatë 12 viteve të fundit, dhe sot i ripremtuar nga kandidatët e partive politike. Sa mandate duhen për të mbajtur një premtim elektoral?
Por ndërsa janë të shumta premtimet e pambajtura gjatë mandatit të shkuar, ajo që vihet re është se kryetarët e partive politike edhe në këtë fushatë zgjedhore premtojne pa i bërë mirë llogaritë. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka premtuar dëmshpërbim të të përndjekurve politikë brenda katër viteve, një premtim joreal nëse do të llogarisësh kostot faktike. Por jo vetëm kaq. Kreu i Partisë Demokratike premton edhe rritje te pensioneve, edhe ulje të përqindjes së kontributeve në skemën e sigurimeve. Dy hapa që kundërshtojnë njëra-tjetrën, por shumë tërheqëse për çdo kënd që nuk e mendon gjatë.
Nëse “ti” politikan premton dhe nuk i përmbahesh premtimit, ti je duke gënjyer, sepse po thua një të pavërtetë, dhe je duke dezinformuar në mënyrë të qëllimtë.
Pas 31 vitesh tranzicion, Shqipëria vijon të bëjë fushata elektorale ku qytetari është një dëgjues i heshtur, që aprovon dhe duartroket. Ai nuk flet, nuk sfidon, nuk kërkon. Ai është i qetë si një fëmijë i mbarë që nuk bezdis familjen, por bindet para urdhrave apo vendimeve të saj.
Fushata elektorale në kohë pandemie bëhet përmes ekraneve televizive, në mediat sociale, dhe sigurisht edhe në komunitete, por ajo nuk është e dukshme. Nëse partitë gënjejnë, ata bëjnë propogandë, dezinformojnë.
Faktoje kërkoi në faqet zyrtare të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për t’u njohur me platformat e tyre elektorale, pasi ai dokument duhet të jetë kontrata e partisë fituese me qytetarin. Ne e kërkuam, por deri më sot, 1 prill 2021, nuk e gjetëm.
Qytetarët nuk kanë as kohë dhe as mundësi të merren me verifikimin e informacionit. Ajo është detyrë e gazetarit. Ndaj dhe sot ka shumë rëndësi verifikimi i fakteve, kryerja e transparencës dhe nxitja e llogaridhënies.
Në këto zgjedhje elektorale, dy kampet më të mëdha politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, ndihen të pashqetësuara mbi tërmetin dhe pandeminë. Në platformat e tyre elektorale të bëra publikë në media, por të papublikuara në faqet e tyre zyrtare, nuk ka asnjë strategji sesi do të zgjidhen këto dy probleme madhore. Po kaq madhore dhe emergjente është rimëkëmbja e sistemit arsimor, që gjatë e pas pandemisë ka krijuar probleme të mëdha që do të reflektohen tek qytetarët e ardhshëm të këtij Kombi.