Një mjekim për problemet e kockave reklamohet në portale online nëpërmjet mjekëve të rremë dhe elementëve të tjera që përbëjnë dizinformim. “Faktoje” zbulon një tjetër artikull që promovon medikamente çudibërëse dhe të dyshimta.
“Kur nyjet nuk na lejojnë të jetojmë plotësisht, duhet të shpresojmë në një mrekulli!’ – një intervistë me njeriun që arriti një mrekulli!”, njofton në titullin e një shkrimi të tij portali “neoallabout.com”. Sipas portalit, mjeku “novator” që sugjeron medikamentin e mrekullive është Antonio Reyes nga Tirana, i cili thuhet se është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, duke specifikuar edhe vitin 1975 si vitin e tij të diplomimit.
Screenshot, artikulli i portalit “neoallabout.com”.
Nisur nga interesi i qytetarëve për problemet e shëndetit, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të këtij artikulli. Fillimisht, bëmë një kërkim në listën e mjekëve shqiptarë për të parë nëse “doktori” në fjalë është pjesë e saj. Nga kërkimi rezulton se nuk kemi një mjek me këtë emër në sistemin tonë shëndetësor. Autori i artikullit, duket që nuk është vetë shqiptar, pasi do të duhet të kishte gjetur një përshtatje më të mirë të një emri mjeku që duket me origjinë latine. Është e tepërt të argumentojmë se mjeku i diplomuar në vitin 1975, tashmë duhet të ishte minimalisht në moshën 72-vjeçare, ndryshe nga personi i shfaqur ne foton që shoqëron artikullin.
Zhvilluam gjithashtu një kërkim edhe në lidhje me fotot e përdorura, ku nga një kërkim i bërë me Yandex rezulton se imazhi është marrë nga një profil personal në rrjetet sociale, një profil që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.
Është evidente pra se artikulli në fjalë është duke përdorur një model marketingu që krijon besimin tek medikamentet apo produktet e ndryshme që promovon duke i “shitur” ato si këshilla të mjekëve profesionistë. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar së funid se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur mjekë të rremë për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.
Shitja e produkteve për shëndetin nga faqet online është një rrezik i shtuar për qytetarët, jo vetëm për shkak të pamundësisë së verifikimit të efektit të këtyre produkteve, por edhe këshillave të rreme që mund të shtyjnë lexuesit drejt braktisjes së mjekimeve shkencore dhe konsultimit me mjekët specialistë.