BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookUshtria braziliane nuk ekzekutoi aleatët e presidentit Lula da Silva

Ushtria braziliane nuk ekzekutoi aleatët e presidentit Lula da Silva

 

Ushtria braziliane nuk ka ekzekutuar aleatët e presidentit të ri të vendit, Lula de Silva, për t’u rreshtuar përkrah kandidatit humbës në zgjedhjet e fundit, Jair Bolsonaro. Lajmi i publikuar në portalin shqiptar mast.al, rezulton i pavërtetë duke synuar të mbështesë tezën e parregullsive në zgjedhjet e fundit në Brazil.

————————————————————————————————————————————-

Zgjedhjet presidenciale në Brazil u ndoqën me interes nga grupimet pro-Trump në të gjithë botën, duke shpresuar fitoren e kandidatit të djathtë, Bolsonaro. Pas rezultatit zhgënjyes për të, një sërë lajmesh të rremë për parregullsi apo protesta qytetarësh në Brazil qarkulluan në rrjet duke patur jehonë edhe në disa portale shqiptare. Një prej tyre, portali Mast.al, publikoi më 8 dhjetor, një artikull ku pretendohet se ushtria braziliane ekzekutoi disa liderë të kartelit famëkeq “Comando Vermelho” (Komanda e Kuqe), të cilët thuhet se mbështesnin fituesin e zgjedhjeve të fundit, Luiz Inácio Lula da Silva.

Vlon Brazili – Ushtria Ekzekuton Zyrtarë të Lula de Silva – Ushtria në Krah të Popullit”, njofton titulli i këtij artikulli. Në tekst shkruhet më tej se: “ekzekutimet, të cilat ndodhën në orët e para të mëngjesit, erdhën disa ditë pasi ushtria braziliane e shpalli Bolsonaron ‘presidentin e vërtetë të Brazilit’ pas dëshmive për zgjedhje të manipuluara“.

Screenshot nga portali Mast.al 

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit, ku së pari, nga një kërkim i thjeshtë i bërë në Google rezulton se lajmi nuk është pasqyruar në ndonjë gazetë kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe nuk ka ndonjë deklaratë të organeve kompetente për këtë çështje.

Artikulli i portalit Mast.al i referohet një lajmi të publikuar më 5 dhjetor nga “Neës Punch”, një faqe kjo e njohur për përhapjen e lajmeve të rreme për tema të ndryshme.

Nga verifikimet e bëra nga kolegët e “Lead Stories” dhe “Facta.it”, rezulton se nuk ka asnjë provë për të mbështetur informacionin, sipas të cilit ushtria braziliane “pushtoi” lagjet e vjetra të Rio de Zhaneiros dhe ekzekutoi drejtuesit e Komandës së kuqe.

Komanda e Kuqe është organizata më e vjetër kriminale e Brazilit, e krijuar në një burg të Rio de Zhaneiros në vitet 1970, si një grup vetëmbrojtjeje për të burgosurit, shpjegon Insight Crime, një institut i specializuar në analizimin e krimit të organizuar në Amerikë. Siç verifikohet nga faqet brazilane të verifikimit të fakteve, nuk ka asnjë provë që presidenti i ri brazilian Lula ka lidhje ose mbështetet nga Komanda Vermelho.

Për më tepër, ushtria braziliane nuk ka deklaruar kurrë se presidenti në largim Jair Bolsonaro ishte “presidenti i vërtetë i Brazilit”, siç pretendohet në artikull. Ndërkohë, zyrtarë qeveritarë dhe analistë të pavarur kanë vërtetuar se nuk ka asnjë provë të besueshme se ka pasur mashtrim në zgjedhjet presidenciale të fituara nga Lula.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img