Pas më shumë se gjashtë muajsh nga shpërthimi në Shqipëri, pandemia “Covid-19” vijon të shoqërohet nga mite dhe dilema. Shumë qytetarë po besojnë teoritë e “mjekëve popullorë” që duket se janë dezhurn 24 orë në rrjetet sociale për të dhënë këshilla, informacione apo edhe kura të supozura që shërojnë virusin. Informacioni, që shpeshherë rezuton të jetë i rremë dhe mohimi i koronavirusit, për ekspertët shihet si një problem real që dëmton shëndetin publik.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 20 gusht tregojnë së 7,967 persona janë infektuar nga koronavirusi, 3,986 prej të cilëve janë shëruar, ndërsa 238 kanë humbur jetën.
Por edhe pse këto shifra pas të cilëve gjenden jetë njerëzish si, një tregues “i gjallë” i pandemisë në Shqipëri, qytetarë të ndryshëm e madje “mjekë popullorë” me një numër relativisht të lartë audience në rrjetet sociale, vijojnë prej disa muajsh “fushatën”, duke ofruar kura të supozura që shërojnë virusin.
Kriza shëndetësore e shkaktuar nga virusi “SARS-CoV-2”, rriti ndjeshëm edhe infodeminë.
Kam shëruar një familje nga koronavirusi… Është thjesht një grip… Do zhduket me ardhjen e verës – ishin disa nga frazat e një “mjeku popullor” në një intervistë televizive më 8 maj 2020.
“Mjeku popullor”, me më shumë se 34 mijë ndjekës në rrjetin social “Facebook”, vijon të “informojë” audiencën me teknika që shërojnë virusin.
“Vetë temperaturat e larta nuk lejojnë këtë virus të përhapet, pra avulli dhe garagara me ujë të ngrohtë eliminon këtë virus UFO” – shkruan “mjeku popullor” më 11 gusht.
Më 14 korrik, në një rast të ngjashëm, Policia e Shtetit arrestoi dy persona në Mamurras pasi, nëpërmjet rrjetit social “Facebook” bënin thirrje për prodhim të substancave për kurimin e koronavirusit.
Shtetasi F. F., nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me ujë, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi – thuhej në njoftimin e policisë.
Ekzistenca e virusit vijon të mohohet!
Ndonëse për disa koronavirusi ekziston në formën e një gripi të thjeshtë, i clili mund të “shërohet” me mjekime popullore, të tjerë mendojnë se ai ekziston dhe se njerëzit nuk duhet tu binden rregullave të vendosura nga qeveria për karantinë e izolim.
Nëse dikush vdes me Covid-19 shteti merr përsipër ceremoninë funerale, gjë që rrit dyshimet. Nga të dhëna ende të pakonfirmuara rezulton se shteti paguhet rreth 16-18 euro dhe kjo ka sjellë rritje të shifrave – argumentonte avokati Altin Goxhaj, në një intervistë për Fax News më 26 qershor.
Disa pikëpyetje vijojnë të shoqërojnë pandeminë “Covid-19”!
A mund të infektohem me gripin sezonal dhe COVID-19 në të njëjtën kohë? – është një pyetje që vijon të bëhet ende.
Po. Ka pasur raste të raportuara në botë, ku njerëzit janë infektuar edhe me COVID-19, edhe me gripin sezonal njëherazi.
A mund të infektohem me COVID-19 dy herë?
Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se është ende shumë herët për të ditur nëse njerëzit që kanë pasur COVID-19 zhvillojnë imunitet dhe nuk dihet sesa mund të zgjasë imuniteti. Një studim ka lënë të nënkuptohet se antitrupat, një pjesë e rëndësishme e veprimit imunitar të trupit, mund të zgjasin vetëm disa muaj për këtë virus, që do të thotë se gjasa për t’u infektuar sërish mund të rritet.
Ndërkohë, siç kemi shkruar edhe më herët, asnjë nga “mjekimet popullore” nuk ka rezultuar efikase, e madje për koronavirusin nuk ka asnjë kurë zyrtare.