.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekë të rremë për trajtimin kundër diabetit

Mjekë të rremë për trajtimin kundër diabetit

 

Mjekë të rremë po përdoren nga portalet për të bërë të besueshme këshillat për përdorimin e trajtimeve ndaj diabetit. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore të publikuar në rrjet, ku rezultoi se gjithçka është e sajuar me qëllim shitjen e produktit.

———————————————

Shqipëria përllogaritet si vendi me vdekjet më të larta në Europë për shkak të diabetit. Për këtë arësye këshillat mjekësore online për trajtimin e diabetit ngjallin gjithnjë interes tek lexuesit. Së fundi, në disa portale po qarkullon një marketing në formatin e një artikulli ku prezantohet një trajtim çudibërës për këtë sëmundje të rëndë.

E gjithë bota po flet për këtë! Student i shkelqyer nga Tirana mori një çmim për zbulim në fushën e mjekësisë pas publikimi i një metodologjie për trajtimin e diabetit, që do të shpëtojë miliona jetë!”- shkruan portali adssite.com. Për ta bërë të besueshëm artikullin në fjalë, portali ka përdorur disa emra dhe foto, ku thuhet se i përkasin një studenti dhe mjeku shqiptar.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij, pasi së fundmi një numër i madh informacionesh të rreme për shitje preparatesh të caktuara po qarkullojnë online.

Fillimisht ne bëmë një kërkim për emrin dhe foton e studentit të përdorur. Nga kërkimi në Google nuk rezulton të ketë një student nga Tirana me emrin Mahir Fejza që është shpallur fitues i një çmimi të tillë. Ndërkohë, nga kërkimi me TinEye rezulton se foto e përdorur për të ilustruar studentin qarkullon në rrjet që prej vitit 2018.

Një tjetër emër i përdorur në artikull është Sami Kurti, i cili thuhet se është mjek diabetolog. Nga kërkimi në listën e mjekëve, nuk ka një profesionist shëndeti me këtë emër, ndërsa foto është një imazh gjeneralist, i cili mund të blihet nga kushdo online në arkiva të krijuara për të ilustruar faqe online. Pra, kemi të bëjmë me një mjek dhe foto të rreme të përdorur nga portali për të rritur besueshmërinë te lexuesit.

Gjithashtu, nëpërmjet TinEye ne bëmë një verifikim edhe të fotos së pretenduar nga konferenca ku është vlerësuar me çmim i riu shqiptar, ku rezultoi se imazhi qarkullon në rrjet së paku që prej vitit 2014.

Artikulli në fjalë është duke përdorur një model marketingu që krijon besimin tek produktet e ndryshme që promovon duke i “shitur” ato si këshilla të mjekëve profesionistë. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur mjekë të rremë për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img