Venat varikoze nuk zhduken për një muaj me preparate që qarkullojnë online. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se një artikull i publikuar online përmban një sërë elementesh fiktivë që përdoren për të nxitur lexuesin për blerjen e produktit.
Një artikull i publikuar nga portalet pretendon se një preparat zhduk venat varikoze në një muaj.
“I thashë vetes: ‘Mjaft më me venat varikoze! Do t’i rikthej vetes këmbët e mia të shëndetshme e të reja!”-shkruan portali që mban emrin ‘Blogu i Ornelës’.
Artikulli i shpërndarë nga portalet
Artikulli është ndërtuar në formën e një “historie suksesi” në luftën kundër variçeve.
Mirëpo, nga kërkimi i bërë nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove rezulton se imazhi i përdorur për të treguar personazhin është një fakt një foto ilustruese që qarkullon në rrjet së paku që prej shkurtit të vitit 2016.
Vihet re që në këtë artikull janë përdorur edhe disa emra, të cilët pretendohet se janë mjekë dhe sugjerojnë këtë preparat. Sipas shkrimit të portalit ata janë të kirurgë dhe emrat e përdorur janë: Gjergji Stroka, Marcela Derhemi dhe Daniel Rotani.
“Faktoje” bëri një verifikim të emrave të përdorur dhe nga kërkimi në listën e mjekëve nuk kishte profesionistë shëndeti me këta emra.
Gjithashtu, bëmë edhe një verifikim të fotove të përdorura për të ilustruar mjekët e rremë, ku rezulton se imazhet qarkullojnë në rrjet prej më shumë se 6 vitesh.
Përsa i përket vetive çudibërëse të premtuara nga trajtimi, studimet e kryera tregojnë se venat varikoze nuk zhduken, por vetëm mund të bëhen më pak të dukshme. Ndodh që simptomat largohen përkohësisht nganjëherë, veçanërisht nëse humbni peshë ose rritni aktivitetin fizik. Megjithatë, simptomat e venave ka të ngjarë të kthehen me kalimin e kohës.
“Kur valvulat e venave dëmtohen, ato ka të ngjarë të mos riparohen vetë, që do të thotë se venat me variçe nuk largohen vetë. Mënyra e vetme që variçet të largohen është duke vizituar një specialist, i cili mund të sigurojë trajtimin e duhur për gjendjen tuaj”, thuhet në kërkimet e bëra në lidhje me këtë problematikë.
E pyetur nga Faktoje në lidhje me këtë suplement mjekja kirurge flebologe Elida Mici shprehet: “Nuk e njoh këtë preparat. Une njoh vetëm preparatet që shiten në farmaci, të cilat janë të regjistruara dhe të certifikuara”.
Në një sërë artikujsh të publikuar nga Faktoje, mjekët kanë këshilluar që të tregohet kujdes me përdorimin e këtyre suplementeve, duke sugjeruar që të këshilloheni me mjekët specialistë.
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka sqaruar se këto produkte janë thjeshtë shtesa ushqimore dhe jo medikamente.
Ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i përkufizon ushqimet shtesë si “produkte ushqimore qëllimi i të cilave është si shtesë në dietën normale dhe të cilat janë burime të koncentruar lëndësh ushqyese ose substancash të tjera me vlerë ushqyese ose efekte fiziologjike, të tregtuara më vete ose të kombinuara, të ambalazhuara në formë porcioni të tillë si kapsula, tableta, pilula, hape dhe trajta të tjera të ngjashme, në qese (pluhur), ampule (lëng), në shishe me pika apo në trajta të tjera të ngjashme si pudra të përcaktuara për t’u përdorur në sasi të vogël uniforme”.