BallinaFaktometerE PavërtetëPropaganda me premtimin për hapjen e shkollës “Emin Duraku“ në shtator

Propaganda me premtimin për hapjen e shkollës “Emin Duraku“ në shtator

Shkolla ‘Emin Duraku’ në zonën e ish-Bllokut në Tiranë nuk i hapi dyert për nxënësit këtë shtator, siç premtoi kryebashkiaku Erion Veliaj. Rindërtimi i objektit arsimor, një financim i Bashkimit Europian në fakt ka si afat përfundimi dhjetorin e këtij viti. Aktualisht nxënësit e shkollës ‘Emin Durakut’ po zhvillojnë mësim me turne në shkollat ‘Vasil Shanto’ dhe ‘Sabaudin Gabrani’.

Genta, ka dy fëmijë, njëri në klasën e parë dhe tjetri në të pestën, të regjistruar në shkollën “Emin Duraku”, që sot është ende një kantier ndërtimi. Por në ditën e parë të shkollës ajo u detyrua të merrte leje nga puna për të shoqëruar dy fëmijët e saj, të voglin tek shkolla 9 vjeçare “Sabaudin Gabrani” ndërsa të madhin tek “Vasil Shanto”.

“Djali që kam në klasën e parë, mbaroi mësimin në orën 16:00. E mora me vete në punë dhe e zuri gjumi këtu. Djali i madh mbaron në 17 e 45, kur të kenë 7 orë do mbarojë edhe më vonë. Nuk e di si do veproj në dimër, kur errësohet më shpejt.  Që në ditën e parë ndihem edhe unë e ezauruar, pasi më shkoi dita duke shpërdarë fëmijët nëpër shkolla për t’i mbledhur prapë dhe nuk e di kur do t’i bëjnë mësimet. Nesër nis çdo gjë nga e para“-thotë e shqetësur Genta e cila shton:

“Nga dhjetori thonë mësuesit mund të përfundojë ndërtimi i “Emin Durakut“, por nuk ka gjë të sigurtë.“

Çfarë premtoi Veliaj për shkollën “Emin Duraku“

Në janar të këtij viti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shoqëruar nga Delina Ibrahimaj, në atë kohë ministre e Financave inspektuan punimet për ndërtimin e shkollës ‘Emin Duraku’ në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Gjatë inspektimit kryebashkiaku deklaroi:  

Bëjmë mobilimin gjatë gushtit dhe në shtator kthehemi prapë këtu… Dua të sqaroj se loti i fundit i shkollave, që po rindërtojmë pas dëmtimit nga tërmeti, është një lot ku porositësi është Bashkia e Tiranës, por zbatimi dhe financimi bëhet nga një partneritet midis Bashkimit Europian dhe PNUD-it.”

Të njëjtin afat, që përkonte me nisjen e vitit të ri shkollor artikuloi në atë kohë edhe ministrja e Financave, Ibrahimaj : “Me ndërtesën që po bëhet, siç po informohemi do të përfundojë brenda muajit shtator ne do të kemi mundësi që të tërheqim këtu akoma më shumë nxënës dhe do të kemi mundësi që t’u ofrojmë nxënësve jo vetëm mësimdhënien e shkëlqyer që stafi akademik këtu ofron, por edhe të gjithë shërbimet e tjera që tashmë shkollat në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë japin”.  

Verifikimi në terren

Në nisje të vitit të ri shkollor 2023-2024, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në këtë shkollë, që sipas premtimeve duhet të kishte hapur dyert për nxënësit e ciklit 9 vjeçar.

Nga verifikimi në terren më 11 shtator, ditën e parë të shkollës, vumë re se shkolla “Emin Duraku” ishte ende një kantier ndërtimi.

Kantieri i ndërtimit, Shkolla “Emin Duraku”, 11 shtator 2023

Nga pjesa rrethuese e kantierit tregohet se objekti është financim i EU4school, megjithatë në terren mungonte tabela informuese për projektin dhe afatet, një detyrim ligjor i shkelur edhe në këtë rast.

Kantieri i ndërtimit, Shkolla “Emin Duraku” mungon tabela informuese, 11 shtator 2023

Verifikimi online

Nga kërkimi  që bëmë në faqen zyrtare të EU4schools, ku jepen të dhëna mbi shkollat e financuara nga Bashkimi Europian informohet se puna për ndërtimin e objektit arsimor ka nisur më 30 janar 2023 dhe punimet do të përfundojnë më 29 dhjetor 2023. Vlera e kontratës është 368,016,858,20 lekë pa TVSH.

Screenshot nga faqja e Eu4school

Hapja e “Emin Durakut” në shtator, propagandë e zyrtarëve publikë

Këto të dhëna janë të rëndësishme për të kuptuar se deklaratat e kryebashkiakut Veliaj dhe ministres së Financave në atë kohë, Brahimaj, për hapjen e shkollës në shtator janë të pavërteta dhe për qëllime propagandistike. Kjo pasi vetë EU4Shchools në projekt përcakton si datë përfundimi, jo shtatorin por fundin e dhjetorit 2023. 

Ku po mësojnë nxënësit e “Emin Durakut“

Aktualisht, nxënësit e shkollës ‘Emin Duraku’ të ndarë sipas klasave,  zhvillojnë mësim të ndarë në dy shkolla, ‘Vasil Shanto’ dhe ‘Sabaudin Gabrani’.

Prindër dhe nxënës të shkollës që po rindërtohet pohuan për Faktoje se klasat e ciklit fillor janë zhvendosur tek shkolla ‘Sabaudin Gabrani’, ndërsa ata të ciklit të lartë te shkolla ‘Vasil Shanto’.

Rei është në klasën e gjashtë dhe e zhvillon mësimin te shkolla ‘Vasil Shanto’. Ai tregon se edhe sivjet, njësoj si një vit më parë, mësimin e zhvillojnë me turne.

“Unë filloj mësim në drekë dhe deri pasdite vonë. Na ishte thënë që do të ktheheshim te shkolla jonë, por e shtynë. Tani thonë që në janar do rikthehemi te ‘Emin Duraku”, thotë 12-vjeçari.

Shkolla ka një kapacitet prej 1300 nxënësish dhe në përfundim të punimeve do të ketë 50 klasa, 5 laboratorë, bibliotekë dhe dy palestra.

Në lidhje me shkollat e reja që janë ndërtuar dhe hapur në Tiranë gjatë vitit shkollor 2023-2024, ne i jemi drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 4 shtator 2023

Deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk kemi një përgjigje nga ky institucion.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut Veliaj për hapjen e shkollës “Emin Duraku” në muajin shtator, ta kategorizojmë të Pavërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img