Mashtrimi i lexuesve nëpërmjet mediave online, me qëllim shitjen e preparateve të caktuara, është kthyer në një shqetësim. Faktoje verifikoi se si portalet përdorin emrin e një mjeku të rreme për të shitur një produkt që sipas tyre “bën mrekullinë” kundër parazitëve.
Nëpërmjet një artikulli të publikuar online, portalet raportojnë për një preparat që sipas tyre përdoret për të luftuar parazitët. “Parazitologët ngrejnë alarmin dhe ngulin këmb për furnizimin e ilaçit antiparazitar Germostop”, shkruan portali “cereus.shop”.
Screenshot, artikulli i publikuar nga portali
Që në ballinë shihet që ky postim ka mjaft probleme, pasi në krye është logoja e portalit “Balkanweb”, ndonëse nuk është faqja zyrtare e medias në fjalë. Që në fillim, portali pëpiqet të manipulojë lexuesit, duke u përpjekur që ta “shesë” produktin duke përdorur një burim të besueshëm të shpërndarjes së informacionit.
“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të mëtejshëm të artikullit të fjalë, për të informuar në mënyrë të saktë lexuesit. Për ta bërë të besueshëm artikullin, portali përdor emrin e një mjeku, të quajtur Atanas Mangirov.
“Dr. Atanas Mangirov е Parazitologu me famë botërore nga Shqipëria, fitues i Çmimit Ndërkombëtar për Mjekësi të Fondacionit Gardner, autor i librit “Evolucioni i parazitëve në trupin e njeriut” dhe është i 2 për nga renditja botërore të mjekëve sipas revistës mjekësore MEDICPROF”, shkruan portali.
Mirëpo, gjatë një kërkim në Google rezulton se mjeku në fjalë nuk ekziston në Shqipëri. Mjeku virolog me emrin Atanas Mangarov është me origjinë nga Bullgaria.
Nëse do kërkojmë më tej në Google, shfaqen dhjetëra foto të profesorit të njohur, i cili është specialist i sëmundjeve infektive. Madje, nuk rezulton që mjeku në fjalë të ketë fituar ndonjë çmim, siç pretendon portali.
Nuk është hera e parë që skema të tilla fiktive me mjekë të rremë përdoren për të mashtruar përdoruesit e mediave online. Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren mjekë “fantazmë” për të shitur produktet.
Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin