.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekë të rremë për medikamente çudibërëse

Mjekë të rremë për medikamente çudibërëse

Medikamentet e ofruara nga portalet janë të bazuara në mjekë dhe intervista të rreme. Faktoie verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore të publikuar në rrjet, ku rezultoi se gjithçka është e sajuar me qëllim shitjen e produktit.

———————————————————————————————————————-

Një artikull i publikuar nga portalet ofron një medikament që pretendon se eleminon njëherë e përgjithmonë prostatitin.

“E gjithë bota është duke diskutuar për këtë! Në datën 7.12.2022 studentit të jashtëzakonshëm kosovar iu dha çmimi Excellence Award në fushën e kujdesit shëndetësor pas publikimit të metodologjisë së trajtimit të prostatitis, që do të shpëtojë miliona jetë njerëzish!” shkruan ndër të tjera portali “al-pf-prostex.inc-goods.com”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Nisur nga interesi publik për çështjet e shëndetit, Faktoje vendoi të bëjë një verifikim të shkrimit të publikuar. Prostatitet janë sëmundje të infeksionit të gjendrës së prostatës që prekin rreth 38% të burrave të moshës seksualisht aktive.

Në një kërkim të bërë në Google, nuk rezulton të ketë ndonjë vlerësim apo çmim të marrë nga studenti Aurel Fejzullahu, siç shkruan portali. Ne bëmë edhe një verifikim të fotos kryesore së përdorur për artikullin në fjalë, ku rezulton se ajo është marrë në web dhe qarkullon në internet që prej vitit 2017.

Një tjetër emër i përdorur në artikull si mjek specialist urolog është ai i Rober Alimadhit. Në një kërkim të bërë në listën e mjekëve në Kosovë, nuk ka një specialist shëndeti më këtë emër. Ndërsa, foto e përdorur për mjekun e rremë është marrë në internet dhe qarkullon në rrjet së paku që prej vitit 2018.

Gjithashtu, nëse do të shohim komentet në fund të artikullit, duket qartë që ata janë bërë nga njerëz të rremë, pasi në momentin që tentojmë të klikojmë te profili i ndonjërit prej tyre, ata nuk shfaqen.

Komentet në fund të artikullit

Është shumë e rëndësishme që pacientët të konsultohen me njekë specialistë, para se të vendosin për të marrë preparate të tilla.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img