Përdorimi i mjekëve të rremë për të bërë më të besueshme vlerat e trajtimeve mjekësore nëpërmjet portaleve është kthyer në një shqetësim serioz. Verifikimi i “Faktoje” zbulon një tjetër artikull që përmban një sërë elementesh të rreme që përdoren për të mashtruar lexuesin me qëllim shitjen e produktit.
Portalet kanë publikuar një artikull, ku ofrojnë një medikament që pretendohet se ofron zgjidhje kundër parazitëve në trupin e njeriut.
“Nëse keni lytha në qafë, sqetulla dhe vendet e tjera – parazitët po ju hanë nga brenda!”- shkruan faqja që për ironi mban emrin “Jetesë e Shëndetshme”.
Screenshot nga portali “Jetesë e Shëndetshme”
Artikulli është shkruar në formën e një interviste me mjekun Dr. Tomislav Majić, ku thuhet se ai ka një përvojë prej 25 vitesh në fushën e mjekësisë, duke shtuar: “Një mjeke e njohur në Institutin e Parazitologjisë Mjekësore”. Mirëpo, nga kërkimi në faqen zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë nuk kemi një institut të tillë në vendin tonë.
“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij, duke bërë një kërkim të thjeshtë në Google. Nga kërkimi në listën e mjekëve shqiptarë nuk rezulton të ketë një profesionist shëndeti me këtë emër në vendin tonë.
Por, gjatë një kërkimi të bërë në Google me emrin e mjekut, rezulton se doktori në fjalë është nga Sllovenia. Çka vë në dyshim përfshirjen e mjekut slloven në këtë këshillë për parazitët është fakti se ai është mjek kardiolog dhe duket se nuk është në fushën e tij të specializimit.
Nuk është hera e parë që skema të tilla fiktive me mjekë të rremë përdoren për të mashtruar përdoruesit e mediave online. Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren mjekë “fantazmë” për të shitur produktet.
Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin