Pretendimi: Disa mjekë shqiptarë rekomandojnë trajtimin ndaj parazitëve

Verdikti: I pavërtetë

Vjolanda Peca

Marketingu online i trajtimeve shëndetësore vijon të përdorë mjekë të rremë për të krijuar besim te lexuesit. Një faqe interneti në shqip, e titulluar “shendet-bukuri.com” reklamon së fundi disa kapsula për të pastruar trupin nga infeksionet parazitare. 

Produkti dhe përshkrimi

Në artikullin që shoqëron promovimin e këtij produkti citohen plot 3 mjekë që rekomandojnë trajtimin si mjaft të vlefshëm. Emrat e këtyre mjekëve të pretenduar janë Dr. Arben Kastrati, Dr. Orjana Gashi dhe Dr. Florjan Mollaymeri.

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të mëtejshëm të identiteteve të mësipërme në regjistrin e mjekëve të publikuar nga Urdhëri i Mjekëve të Shqipërisë.  Pas verifikimeve në këtë regjistër nuk rezulton asnjë e dhënë për të tre emrat e paraqitur.

Faktoje më pas verifikoi burimin e artikullit dhe në fund të tij është vënë emri dhe fotoja e një gruaje. Emri i saj është Alkanaj Vulaj.

Alkana Vulaj

Ajo është diplomuar në Universitetin e Shqipërisë në degën “Gazetari televizive”. Prej shumë vitesh ajo ushtroi specialitetin e saj në media të ndryshme në vendin tonë. Kryeredaktor i Shendet-bukuri.com që nga krijimi i faqes.

Fotoja dhe përshkrimi i personit që ka shpërndarë artikullin.

Sapo lexojmë përshkrimin për autoren do vëmë re disa informacione që na bëjnë të dyshojmë për vërtetësinë e tyre. Thuhet që Alkana Vulaj është diplomuar në “Universitetin e Shqipërisë”, një emërtim i përgjithshëm.

Më tej thuhet se ajo ka ushtruar profesionin në media të ndryshme të vendit tonë, duke zbuluar një tjetër të dhënë se bëhet fjalë për një gënjeshtër.

Ka shumë gjasa që edhe emri i gazetares, ashtu si i mjekëve të jetë krijuar bazuar mbi emra shqiptarë të kërkuar në internet nga autorët e vërtetë të këtij artikulli marketingu.

Nuk është hera e parë që skema të tilla fiktive me mjekë të rremë përdoren për të mashtruar përdoruesit e mediave online. Faktoje ka raportuar edhe më herët mbi këto skema mashtrimi, ku përdoren mjekë “fantazmë” për të shitur produktet.

Faktoje zhvilloi një pyetësor, në të cilin u drejtoi qytetarëve pyetje në lidhje me përvojën e tyre gjatë blerjeve online të produkteve mjekësore. Sipas sondazhit, 52.6% e të anketuarve kishin bërë më parë blerje online të produkteve mjekësore. Dhe 84.2% e tyre besonin më shumë te produktet e rekomanduara nga një mjek. Ky faktor është arsyeja që marketingu i produkteve online shfrytëzon për të përfshirë emra mjekësh në postimet reklamuese.

Mbetet shqetësues fakti që 55.3% e të anketuarve përgjigjen se nuk e dinin që ka skema mashtrimi online, në të cilat përdoren emrat e mjekëve të rremë.

Besimi i lartë i konsumatorëve te rekomandimet mjekësore është një faktor që pronarët e bizneseve e shfrytëzojnë për të rritur shitjet. Megjithatë, mungesa e vetëdijes së konsumatorëve për skemat e mashtrimit ku përdoren emrat e mjekëve të rremë paraqet një rrezik të konsiderueshëm.

Ndërkohë që teknologjia ka lehtësuar aksesin në produkte dhe shërbime, ajo gjithashtu ka krijuar hapësirë për abuzim dhe mashtrim, duke kërkuar një vëmendje më të madhe nga ana e konsumatorëve dhe rregullatorëve për të mbrojtur interesat e publikut.