Një tjetër artikull që hiqet si këshillë mjekësore nga mjekë të mirëfilltë reklamon një preparat që pretendon se shëron prostatitin. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky artikull përmban një sërë elementesh të rreme që përdoren për të mashtruar lexuesin për të shitur një produkt.
—————————————-
Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në Facebook, nën titullin “Një tjetër skandal në fushën farmaceutike! Çfarë na shesin farmacionet tona për trajtimin e prostatitit dhe si trajtohet kjo sëmundje në shtetet e tjera të BE-së, ShBA-së dhe Kinës?”
Faqja mban titullin “Sistemi Elektronik Kombëtar i Shërbimeve Shëndetësore”, duke u hequr si një institucion kombëtar që nuk ekziston, dhe nëntitullin “Merrni këshilla nga mjekët më të mirë në internet!”, duke u hequr si një faqe e besueshme për shëndetin.
Artikulli është shkruar në formën e një interviste më mjekun Dr. Franc Marku, “Një nga mjekët më të shquar në Itali me origjine Shqiptare”. Por, një kërkim në regjistrin e mjekëve italianë zbulon se nuk ekziston asnjë mjek me këtë emër.
Për më tepër, kur “Faktoje” kërkoi foton e përdorur në artikull me anë të motorit të kërkimit të fotove TinEye, rezultoi se ishte një foto ilustruese ‘stock’ që mund të përdoret nga kushdo kundrejt një pagese, dhe qarkullon në internet të paktën që nga viti 2018.
Në përgjigjen kyç të ‘intervistës’ ‘mjeku’ krahason “dy metoda të trajtimit të prostatitit”, si trajtohet nga “ne” dhe si trajtohet në ShBA, BE dhe Kinë. Pasi përshkruan një procedurë të shtrenjtë dhe poshtëruese të vizitës të mjekut, ai propozon si mënyrë trajtimi, qe përdoret edhe në vendet e lartpërmendura, “një ilaç kundër prostatitit që e ka vërtetuar efektivitetin e tij gjatë shumë viteve. Ky produkt unik quhet Prostex”.
Pikërisht, Prostex duket se është arsyeja për vetë ekzistencën e këtij artikulli të rremë. Çuditërisht, ky mjekim nuk gjendet në farmaci, sepse, siç pretendon artikulli “ky ilaç nuk është fitimprurës për mafien e farmacive. Ata nuk duan ta kurojnë përgjithmonë problemin me ndihmën e këtij ilaçi të lirë dhe të përballueshëm.” Në mënyrë të volitshme, ai mund të porositet vetëm duke dhënë të dhënat personale si emri, mbiemri dhe numri i telefonit.
Artikulli këshillon burrat që kanë simptomat e prostatitit të mos u drejtohen mjekëve, por të porosisin ilaçin çudibërës “me përbërës natyralë,” të cilët, çuditërisht, nuk listohen në artikull. Sa i përket, trajtimit në vendet si BE, ShBA dhe Kinë, Fondacioni Amerikan i Kujdesit Urologjik këshillon konsultë tek mjeku për të marrë një diagnozë të saktë prostatiti dhe, si rrjedhojë, trajtimin e duhur.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur mjekë të rremë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.