Lirimi i hapësirave publike në Shkodër është një nga premtimet kryesore të Kryetarit të Bashkisë Bardh Spahia. Nga një verifikim i Faktoje në terren rezulton se zotimi i kryebashkiakut Spahia nuk po gjen zbatim në kryeqendrën e veriut. Edhe në ditë me shi bizneset zaptojnë trotuaret, duke u kthyer në shqetësim për banorët e Shkodrës. Ndërkohë, Bashkia argumenton se lirimi i hapësirave publike është punë në proces të vazhdueshëm.
Esmeralda Topi
“Shkodra është shtëpia jonë e madhe e përbashkët, hapësirat publike janë të të gjithë shkodranëve dhe jemi të vensosur t’ ua kthejmë ato qytetarëve.”- shkruhej më 12 korrik në faqen zyrtare në facebook të Bashkisë Shkodër.
Nisur nga rëndësia që ka problematika e zaptimit të hapësirave publike në jetën e qytetarëve, Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.
Më 20 shtator ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shkodrës, lidhur me ecurinë e nismës për lirimin e hapësirave publike.
Dhjetë ditë pas kërkesës, Bashkia e Shkodrës u përgjigj se puna për lirimin e hapësirave publike është në proces të vazhdueshëm.
“Përsa i përket lirimit të hapësirave publike është punë në proces të vazhdueshëm. Së shpejti krahas punës për lirimin e hapësirave në të gjitha rrugët, sheshet e zonave të tregjeve do të fokusohemi në lirimin e hapësirave publike në rrugë e sheshe nga automjetet e parkuara që janë jashtë përdorimit si dhe kioskat e vendosura në vende të pamiratuara.” shkruhej në përgjigjen zyrtare të bashkisë.
Screeshot nga përgjigja e Bashkisë Shkodër
Krahas kërkesës për informacion, Faktoje vendosi të verifikojë nga afër ecurinë e këtij zotimi në kryeqendrën e veriut. Më 17 nëntor ne ishim në Shkodër. Verifikimin në terren e nisëm nga zona e Rusit, një ndër sheshet kryesore të qytetit. Edhe pse një ditë me shi, në të dyja anët e rrugëve të kësaj zone, trotuaret ishin të zëna nga biznese të ndryshme.
“Kane premtuar disa herë, por siç e shikon këtu nuk dëgjon njeri. Mezi kalojmë, sidomos unë që kam dhe fëmijë të vogël dhe më duhet të përdor karrocën.”- shprehet një nënë e re.
Të njëjtin shqetësim ngre edhe një i moshuar.
“I heqin veç disa orë kur bëhet kontrolli dhe të nesërmen i gjen sërish këtu. Unë jam përdorues biciklete, në rrugën e makinave nuk kaloj, korsi të dedikuara s’ka, në trotuare has vështirësi sepse janë të zëna.” – tregon ai për Faktoje.
“E kuptoj që bizneset duan të shesin, por kjo nuk është normale. Ju e shihni vetë, sot është ditë me shi dhe trotuaret nëpër rrugët kryesore janë të zëna.” – thotë një tjetër banore e zonës Rusi i Madh.
Edhe në zonën e Sheshit “Demokracia” qytetarët shprehin shqetësimin për zënien e hapësirave publike.
Biznese të ndryshme kanë zënë një pjesë të trotuareve për të reklamuar mallrat e tyre.
Ndërkohë, edhe pedonalja “Kol Idromeno” një nga zonat më të frekuentuara nga turistët në Shkodër ka qënë pjesë e aksionit të lirimit të hapësirave publike nga bashkia.
Edhe këtu banorët thonë se ankohen për hapësirat e zëna nga subjektet private, bar-restorante që kanë tavolina dhe karrige jashtë.
“Po kjo zonë duhet të ishte bosh në mes, përse duhen këto karrige dhe tavolina?! Ngjitur me kafenetë ka disa tavolina dhe karrige, këto në mes janë të tepërta mendoj unë.” – thotë një e moshuar.
Lirimi i hapësirave publike është një premtim i përsëritur vit pas viti nga Bashkia e Shkodrës. Edhe në tetor të 2018, bashkia nisi një aksion të ngjashëm që përfshinte edhe tre zonat e mësipërme që ne verifikuam nga afër.
Nisur nga verifikimet tona në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimin për kthimin e hapësirave publike tek qytetarët nga kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia do ta kategorizojmë si të pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.