BallinaProjekteRritja e kapaciteteve për fact-checking mbi çështjen integrimit në BE4 vite pas premtimit, banorët e fshatit Fterrë ende në pritje për asfaltimin e rrugës

4 vite pas premtimit, banorët e fshatit Fterrë ende në pritje për asfaltimin e rrugës

Bianka Shkurti , studente

Rruga në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë nuk është asfaltuar ende, ndonëse kjo u premtua 4 vite më parë nga kryebashkiaku, Jorgo Goro. Faktoje verifikoi në terren se ky segment rrugor është mjaft problematik për banorët e zonës. Këta të fundit shprehen se ndihen të zioluar dhe kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë për rregullimin e saj.

————————————————————————————————————————–

Në vitin 2018, kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro u zotua për asfaltimin e rrugës së fshatit Fterrë.

Aktualisht po punohet për ta bërë këtë rrugë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve.  Së shpejti rruga do të shtrohet me asfalt, për të patur një tjetër rrugë të përfunduar dhe me kushte sigurie rrugore, sinjalistikë të përshtatshme”, tha kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.

Kur kanë kaluar 4 vite nga ky premtim, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren, në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë, për të parë nga afër si ishte gjendja e rrugës.

Ne biseduam me banorë të zonës, të cilët shprehën shqetësimin për gjendjen e saj, duke theksuar në këtë rrugë nuk ka patur asnjë ndërhyrje që prej momentit kur është ndërtuar.

“Dikur shkonte autobusi i Vlorës dhe ajo rrugë ka ekzistuar që në kohën e luftës, ndërsa tani rruga është lënë si një temë jo e rëndësishme”, shprehet D.SH. banor i Himarës.

Rruga e fshatit Fterrë, Himarë

Të moshuarit shprehen për Faktoje se ndihen të izoluar, pasi rruga për të ardhur në fshatin e tyre, është e vështirë. Madje, për shkak të rrugës hasin shumë vështirësi për të shkuar në qendrat spitalore.

“Më duhet të shkoj te qendra shëndetësore disa herë në javë, por e kam shumë të vështirë për shkak të rrugës së shkatërruar”, thotë T.K. banore e Himarës.

 

Rruga e fshatit Fterrë, Himarë

Në lidhje me këtë problematikë, kryeplaku i fshatit, Profit Zani thekson se rruga e shkatërruar ndikon negativisht edhe në turizmin e zonës.

“Fterra është një vend turistik dhe e vetmja gjë që e penalizon atë është rruga e paasfaltuar”, thotë ai.

Rruga e fshatit Fterrë, Himarë

Përpos rrugës, banorët e fshatit ngrenë një tjetër shqetësim, atë të largimit masiv të të rinjve. Një e moshuar shprehet se sot shkolla e fshatit është mbyllur, pasi nuk ka nxënës.

“Më ka marrë malli të shohë fëmijë, pasi të gjithë të rinjtë janë larguar në qytete për të ndjekur studimet. Dikur në shkollën e Fterrës ka pasur 200 nxënës ndërsa sot asnjë”, thotë V.C. banore e fshatit.

Shkolla “Hıqmet Dusha”, fshati Fterrë

Nisur nga shqetësimet e banorëve dhe faktit që rruga ende nuk është rikonstruktuar ashtu siç u premtua, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Himarës. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë.

 Ky shkrim është zhvilluar nga studentët në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve mbi verifikimin e Fakteve dhe anëtarësimi i Shqipërisë në EU” i mbështetur nga Ambasada Suedeze.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img