BallinaPremtimeMinistrja Kumbaro tre vite premtime të pambajtura për restaurimin e Kalasë së Libohovës

Ministrja Kumbaro tre vite premtime të pambajtura për restaurimin e Kalasë së Libohovës

MERXHAN DACI

Kalaja e Libohovës, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena mes viteve 1796-1798, është një monument i kategorisë së parë në Bashkinë e Libohovës.

Shanishaja, motra e Ali Pashë Tepelenës, u martua me një nga anëtarët e familjes Libohova dhe pashai për pajë i dha motrës së tij këtë kala.

Por prej vitesh kalaja është pa vëmendje dhe pa ndërhyrje restauruese edhe pse ka potencialin të jetë një atraksion i mirëfilltë turistik.

Idetë për restaurimin e kalasë datojnë që nga viti 2013. Në atë kohë u fol për një projekt restaurimi që nuk dihet pse nuk është kryer.

Ndërhyrjet kryesore do jenë në muret, të cilat, muri nga ana veriore që ka pësuar edhe një çarje, pastrimi i bimësisë i po këtij muri, vendosja e shkallëve që janë të dyja të rrëzuara”, thoshte Altin Pango, Inxhinier i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve.

4 qershor 2015, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shkon në Libohovë dhe pikërisht në kala. Që në këtë kohë flitet për një projekt të miratuar për restaurimin e plotë të Kalasë së Libohovës.

Pak muaj më vonë, në 14 tetor të vitit 2015 ministrja e Kulturës Kumbaro shkruante në Twitter se Kalaja e Libohovës do të dilte në dritë pas miratimit të projektit të restaurimit.

Kaloi një vit dhe kalaja nuk u restaurua. Një tjetër deklaratë nga Kumbaro erdhi nga Libohova për kalanë.

“Siç e kemi premtuar dhe një vit më parë dhe praktikisht e kemi mbajtur premtimin, ne sot kemi të gatshëm projektin e ndriçimit dhe të rehabilitimit të Kalasë së Libohovës”, tha Kumbaro në gusht të vitit 2016 në një deklaratë për mediat.

Pra, premtimi sipas ministres ishte mbajtur pasi projekti ishte i gatshëm në letra edhe pse jo i zbatuar.

Një vit më vonë nga Kumbaro vjen një deklaratë tjetër.

“Është gati edhe projekti për restaurimin dhe ndriçimin e Kalasë së Libohovës, një tjetër monument kulture shumë i rëndësishëm që duam ta kthejmë në një qendër atraksioni brenda një projekti më të madh që ne e kemi quajtur itinerari i kalave të Gjirokastrës”, tha Kumbaro në 6 shkurt 2017.

Shumë shpejt vijnë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Deklaratat me kala vazhdojnë.

Kemi një kala në Libohovë, tashmë kjo kala është pjesë e programit të Bankës Botërore për restaurimin e Bashkisë Gjirokastër, Kalasë së Gjirokastrës dhe Kalasë së Libohovës, projekti është gati”, tha Mirela Kumbaro në vitin 2017.

maj të 2018-ës, në vizitën që pati bashkë me kryeministrin Rama në Libohovë për “Rilindjen Urbane” të qytetit, ministrja e Kulturës Kumbaro e ripremtoi restaurimin e kalasë edhe pse pas 3 vitesh tashmë po thoshte të njëjtën gjë.

Këtu kemi gati dhe projektin e rikualifikimin e zonës së kalasë me gjithë ndriçimin përkatës”, u shpreh Kumbaro.

“Faktoje” pyeti Ministrinë e Kulturës për projektin e restaurimit të kalasë. Ministria u përgjigj se për këtë kala ka dy projekte.

Përgjigja e Ministrisë së Kulturës: 

Për objektin Monument Kulture “Kalaja e Libohovës” janë hartuar 2 projekte restaurimi nga viti 2015-2018.
1. Projekti i Restaurimit të “Kalasë së Libohovës”, Gjirokastër, i miratuar në KKR me Vendim Nr. 157, datë 27.08.2015;
2. Projekti “Punime mirëmbajtje dhe Vendosja e tabelave informuese në Kalanë e Libohovës”, i miratuar në KKR me Vendim Nr. 148, datë 12.05.2017.
Për projektin e dytë të miratuar është bërë një investim nga donatorët në vitin 2017, i cili ka përfunduar.

“Faktoje” pyeti edhe Bashkinë e Libohovës e cila konfirmoi se në dy vitet e fundit, kohë në të cilën është folur më së shumti për projekte nuk është kryer asnjë restaurim në kalanë e qytetit.

“Gjatë dy viteve të fundit nuk është kryer asnjë restaurim në Kalanë e Libohovës, por projekti për restaurimin e saj është gati dhe disponohet nga Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Monumenteve Dega Gjirokastër”, u shpreh bashkia.

Po ashtu bashkia na njohu me vlerën financiare të projektit që flitet prej 3-vitesh por që nuk është vënë në zbatim.

“Projekti përfshin një vlerë restaurimi prej 18412302 Lekë dhe pritet të vihet në zbatim së shpejti”

Kanë kaluar 5 vite që kur është folur për restaurimin e Kalasë së Libohovës. Përveç disa punimeve të mirëmbajtjes, asnjë restaurim nuk është kryer edhe pas premtimeve, gënjeshtrave dhe përdorjes së këtij monumenti kulture për fushatë.

Duke kujtuar rastin e Urës së Hoshtevës në po këtë bashki që u shemb pas mungesës së restaurimit, Kalaja e Libohovës pret të mos ketë të njëjtin fat.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img