Pretendimi: Ministrja e shëndetësisë e Hollandës pranoi se pandemia e Covid-19 kontrollohej nga NATO

Verdikti: E pavërtetë

Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se ministrja e Shëndetësisë së Holandës, Fleur Agema ka pranuar më në fund se Covid-19 ishte një operacion ushtarak kundër njerëzimit. 

Të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s kanë gënjyer, e gjithë narrativa e tyre për COVID 19 është qëllimisht e rreme. Ata mashtruan publikun qëllimisht për më shumë se 4 vjet. Prodhimi dhe shpërndarja e “vaksinave COVID” janë/bazohen në arsye të rreme.”, shkruajnë ndër të tjera përdorues në rrjetet sociale. 

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale 

Duke verifikuar më tej këtë informacion, zbulojmë se lajmi është ndarë në disa media online prej datës 8 nëntor, si dhe në kanalin BitChute, i njohur për shpërndarjen e teorive konspiracioniste. Një deklaratë e tillë nuk është pasqyruar në asnjë prej mediave të rëndësishme botërore, duke vënë në dyshim vërtetësinë e saj. 

Më konkretisht, gjatë fjalimit të saj në datë 24 tetor në parlament, ministrja Agema ka deklaruar

“Politika për përballimin e pandemive po zhvillohet nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar për Sigurinë dhe Kundër-Terrorizmin (NCTV) dhe ministrinë e mbrojtjes, duke synuar të jetë në përputhje me detyrimet e NATO-s. Holanda duhet të jetë e përgatitur për çdo lloj fatkeqësie, si kërcënimet hibride, kërcënimet ushtarake, fatkeqësitë natyrore ose një pandemi e re. Nevojitet një forcim thelbësor i përballjes së vendit me këto rreziqe. Nën drejtimin e NCTV dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ne do të dalim me një plan veprimi në pranverë”.

Kuptohet se deklaratat e saj për përballjen me rrezikun e një pandemie të re janë keqintepretuar qëllimisht. Në fjalën e mbajtur, ministrja flet për strategjinë e re të sigurisë dhe koordinimin me institucionet për këtë çështje dhe jo për vaksinimin kundër Covid apo pandeminë e vitit 2020. 

Veç kësaj, Fleur Agema është zgjedhur ministre e Shëndetësisë së Holandës në korrik të këtij viti dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim apo vendim gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. 

Ky pretendim është një keqinterpretim i deklaratës së ministres holandeze të Shëndetësisë dhe ndaj është thelbësore të kontrollohen burimet e besueshme të informacionit, veçanërisht kur kemi të bëjmë me deklarata të tilla.