.

.

BallinaBurokraciMinistria e Shëndetësisë konfirmon se studentët nuk mundën të zgjedhin llojin e vaksinës anticovid

Ministria e Shëndetësisë konfirmon se studentët nuk mundën të zgjedhin llojin e vaksinës anticovid

Studentët nuk e patën mundësinë të zgjidhnin llojin e vaksinës kundër Covid-19. Kjo u konfirmua zyrtarisht për Faktoje nga Ministria e Shëndetësisë, thuajse një muaj pas dërgimit të kërkesës për informacion. Ndërkohë, ultimatumi i qeverisë se nuk do lejohen studentë apo pedagogë të pavaksinuar në auditorë, duket se ka rënë. Vetë rektorët vendosën që pajisja me certifikatë vaksinimi nuk është kusht për praninë fizike të studentëve në auditore.

……………………………………..

“E vetmja mënyrë që mësimi të vijojë normalisht, të zhvillohet në auditore, sipas programeve përkatëse të çdo universiteti dhe fakulteti, është pikërisht që të vaksinohemi”- deklaroi ministrja Manastirliu në 12 tetor.

Para nisjes së vitit të ri akademik, vaksinimi i studentëve u vu si kusht nga qeveria për t’u pranuar në auditoret e Universiteteve, duke krijuar konfuzion dhe kaos te ta.

Në lidhje me këtë çështje, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë më 14 tetor, të cilën e pyetëm nëse studentët mund të zgjidhnin vaksinën llojin e vaksinës anticovid. Gjatë vëzhgimit në terren, në atë periudhë mësuam se shumë studentëve u ishte refuzuar vaksinimi me Pfizer.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë më 14 tetor

Në datën 16 tetor, Faktoje raportoi se studentët ishin të detyruar që të zgjidhin mes dy llojeve të vaksinave, AstraZeneca dhe Coronavax, kjo e fundit vaksinw e pacertifikuar nga EMA dhe FDA.

Qendra e vaksinimit në fakultetin e Histori-Filologjisë, 12 tetor

Vaksinatorë në stadiumin “Air Albania” i kishin konfirmuar Faktojes ekzistencën e një urdhëri për të mos vaksinuar studentët me Pfizer.

“Sipas urdhrit, për momentin nuk po vaksinojmë studentë me Pfizer. Të hënën (11 tetor) janë bërë vaksina Pfizer për studentët. Unë nuk kam qenë vetë, por kolegia më tha që janë vaksinuar me Pfizer. Këtu funksionon me urdhra ditorë dhe nuk mund të përgjithësoj”-theksoi ajo.

Më shumë se një muaj pas kërkesës për informacion të dërguar në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, më 17 nëntor, në redaksinë e Faktoje, mbërriti përgjigjia nga institucioni në fjalë, ku ndër të tjera konfirmohet se stundetët nuk mund të zgjidhnin llojin e vaksinës anticovid:

“Në pandemi nuk ka zgjedhje lidhur me mjetin që lufton infeksionin Covid-19. Në pikat studentore që janë hapur nëpër universitete lloji i vaksinave varet nga stoku dhe plani i shpërndarjes së tyre”.

Përgjigjia e Ministrisë së Shëndetësisë për Faktoje 

Revolta e studentëve kundër vaksinimit u konkretizua me protesta më 18 tetor, ditën e parë të nisjes së vitit të ri akademik. Të ndarë në grupe, studentët protestuan në Fakultetet përkatëse dhe para Ministrisë së Arsimit, duke deklaruar se nuk mund të privohen nga e drejta për arsimim për shkak të vaksinës.

Po atë ditë, kryeministri Edi Rama duket se u “tërhoq” para studentëve, duke theksuar se qeveria nuk mund të çojë në universitet forca për t’i ndaluar. Gjithashtu ai bëri të ditur se u takon rektorëve të vendosin nëse do t’i pranonin në auditore të pavaksinuarit.

“Shumë prej atyre vajzave dhe djemve që janë studentë kanë nevojë edhe për pak inkurajim, siguri apo mbështetje. Në hollet e universiteteve do të jenë në dispozicion vaksinatorët. Ata nuk duhet të marrin pjesë në mësim, por kjo është një çështje e autoriteteve, sepse qeveria nuk mund të çojë në universitet forca për t’i ndaluar”- deklaroi kryeministri Rama më 18 tetor.

Në fund të muaji tetor, mediat raportuan se në Universitete kishte ‘rënë vaksinimi i detyruar’ dhe se studentët nuk po kushtëzoheshin më nga ky element për t’u pranuar në auditore.

“Në mbledhjen e fundit të zhvilluar të premten, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha se pasja e një certifikate vaksinimi apo të tjera dokumenteve që konfirmojnë mosinfektimin nga Covid-19 nuk janë kusht detyrues për praninë fizike të studentëve në auditorë”- njoftuan mediat.

Nga ana tjetër, mohimi i të drejtës për të zgjedhur llojin e vaksinës, sipas ekspertëve që kanë folur për Faktoje, është i padrejtë dhe penalizues.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img