Që prej muajit prill, të paktën 3500 familje të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës e Kurbin, nuk e kanë marrë bonusin e qirasë. Bashkitë ia pasojnë topin e përgjegjësisë Ministrisë së Financave se nuk po lëvron fondet, por vetë Ministria lan duart duke konfirmuar se pagesat janë detyrim i qeverisjes vendore. Mes këtij ping-pongu përgjegjësish, të humbura janë familjet e pastreha, që mbeten në mes të katër rrugëve, deri në përfundimin e procesit të zvarritur të ridërtimit. Ekspertët e konsiderojnë mosdhënien e bonusit si një tregues i abuzimit me fondet e rindërtimit pas tërmetit.
Ilda Hoxha
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ia bëri të pabanueshëm apartamentin në lagjen 5 në Durrës. Prej asaj nate, Bashkim Gjika ende nuk ka një çati mbi krye.
Ngrehina e mbetur në rrugën “Stefa Dhima” pas shkatërrimit katër vite më parë, e vlerësuar me shkallë dëmtimi DS5 të qytetit bregdetar nuk është shembur ende.
“Fillimisht pallati është cilësuar DS2. Kur ne shkuam në Prokurori dhe Prokuroria solli ekspertizën, ekspertët e nxorrën të pabanueshëm, largim të menjëhershëm dhe kaloi për shembje, DS5. Që nga ajo ditë e mbrapa, ne jemi me qira”-tregon i shqetësuar ai.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Bashkimi nuk ka marrë as bonusin e qirasë.
“Janë 48 familje në këtë pallat, shumica janë rrugëve, sepse nuk kanë lekë të paguajnë qiranë. 200 mijë lekë në muaj e kam qiranë, por nuk e kam paguar prej 8 muajsh. I kam thënë të zotit të shtëpisë, më ka lënë dhe 2 muaj afat. Në fund të dhjetorit, ose do i dorëzoj lekët, ose do i dorëzoj çelësat e shtëpisë, s’ka më”-shprehet ai.
Të ardhurat e Bashkimit janë minimale, pasi ai është me diabet, ndërsa bashkëshortja ka kryer 5 ndërhyrje. Ata trajtohen me kemp, që nuk iu mjafton për të përballuar as shpenzimet jetike.
“1 milion lekë ilaçe në muaj, unë me gjithë gruan, sepse është 5 herë e operuar për gjendër kanceroze. Vetë i operuar dy herë, i mbaruar, me gjilpëra, me insulina, shkalla e fundit e diabetit. Vajza që është në Itali na ka dërguar lekë sa herë për këto ilaçe, se të mos jenë ilaçet do kisha vdekur” -rrëfen Bashkimi.
Kush e mban përgjegjësinë?
Nisur nga shqëtësimi i Bashkimit dhe familjeve të tjera si e tija, Faktoje kërkoi informacion nga Bashkia e Durrësit. Zyrtarisht ky institucion e pranon që 2500 familje nuk e kanë marrë bonusin e qirasë që prej muajit prill.
“Në Qarkun e Durrësit trajtohen ose janë në listat e familjeve që përfitojnë ende bonus qiraje rreth 2500 familje, të cilët që nga prill i vitit 2023 nuk janë trajtuar me bonus qiraje”, konfirmon Bashkia e Durrësit.
Pallat i dëmtuar në shkallën DS5 në Durrës, nëntor 2023
Më tej, ky institucion bën përgjegjëse për vonesën Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë:
“Bashkia Durrës i ka kërkuar fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i datës 26.11.2019 Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me shkresën 30/4 datë 18.07.2023 dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të fondeve”.
Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje iu drejtua zyrtarisht Ministrisë së Financave, e cila sqaron se që prej marsit 2023 bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirasë për familjet e pastreha kalon për shlyerje nga buxheti i pushtetit vendor.
“Në zbatim të pikës 5, të nenit 26, të Aktit Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019, nëpërmjet shkresës nr. 5897, datë 30.03.2023, me synimin për të shtyrë përpara procesin e rindërtimit, por edhe për faktin se strehimi është funksion i njësive të qeverisjes vendore, janë njoftuar të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti se pas muajit Mars 2023 subvencionimi i qirasë për këto familje do të financohet nga buxheti i bashkive, duke i njoftuar që të marrin masat e mëtejshme për mbulimin e këtyre pagesave. Gjithashtu, në funksion të shtyrjes përpara të procesit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në rishikimin e Buxhetit 2023, përmes Aktit Normativ, rialokoi së fundmi 12 miliardë lekë për procesin e rindërtimit.”, i tha Faktojes përmes përgjigjes zyrtare Ministria e Financave më 23 nëntor.
Në kushtet kur Minitria e Financave dhe Bashkia Durrës, ia pasojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, Faktoje pyeti Këshillin e Ministrave dhe Agjencinë për Media dhe Informim se kush do t’i japë zgjidhje 2500 familjeve të pastreha në Durrës, të mbetura pa bonus qiraje prej 8 muajsh.
Deri në momentin e publikimit të artikullit nuk morëm një përgjigje.
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preç shprehet kritik ndaj qeverisë dhe pushtetit vendor në lidhje me gjithë procesin e post-tërmetit.
“Mosdhënia e bonusit ndaj familjeve që janë pa strehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019, reflekton nga njëra anë frikën e zyrtarëve nga ndëshkimi i SPAK-ut për shkak të abuzimeve që janë bërë me fondet e rindërtimit, por edhe papërgjegjshmërinë e qeverisë qendrore dhe vendore për të zbatuar aktet që ka ndërmarrë vetë.
Ndërkohë pushteti vendor ka përparësi pagesat e inceneratorëve që nuk ekzistojnë. Dhe pak e më pak po përmbush detyrimet ndaj qytetarëve që e kanë votuar. Dhe për më tepër që qeveria po e përdor përsëri tërmetin edhe pas katër vitesh si një kambial elektoral”, argumenton zoti Preçi.
Bonus i munguar edhe në bashki të tjera të prekura nga tërmeti
Edhe Bashkia Kurbin konfirmoi për Faktoje se banorët e pastrehë nga tërmeti i 2019-s, nuk po trajtohen me bonus qiraje që nga muaji prill 2023:
“Bashkia Kurbin ka 1086 familje që duhet të trajtohen me bonus qiraje. Ky fond është mbuluar prej fillimit nga qeveria qendrore dhe që prej muait mars nuk është çelur fond për kalimin e bonusit, pavarësisht kërkesave tona”.
Ndërsa vazhdon pingpongu i përgjegjësive mes institucioneve se kush duhet ta japë bonusin e qirasë, mijëra familje të pastreha nga tërmeti po vuajnë dhe presin me sytë nga qielli edhe këtë vit.