Sistemi parauniversitar kaloi tërësisht në mësim online nga 15 deri 19 shkurt. Por sipas raportimit nga nxënës, mësues e prindër mësuam se, mësimi online nuk u zhvillua fare. Situata e krijuar, e ka ulur edhe më tepër produktivitetin, edhe pse Ministria e Arsimit refuzoi të publikonte rezultatet e sondazhit të kryer së fundmi mbi ecurinë e këtij procesi. Sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore, mësimi online do t’i thellojë akoma më shumë shifrat e analfabetizmit, i cili edhe para pandemisë ishte në këto nivele.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një njoftimi në rrjetet sociale, më 14 shkurt lajmëroi mbylljen e shkollave dhe zhvillimin për një javë të mësimit online, për shkak të përkeqësimit të motit, temperaturave ekstremisht të ulëtareshjeve të dëborës. Sipas ministres, në dispozicion të nxënësve dhe mësueve ishin tri platforma alternative të mësimit online.
– Platforma online “Akademi.al”;
– Kanali i dedikuar “RTSH Shkolla”;
– Kanali i MASR në “Youtube”.
Të hënën e 16 shkurtit procesi online dështoi. Këtë dëshmojnë të paktën dhjetëra nxënës e mësues të cilët raportuan se ishte i pamundur aksesimi I platformave, jo vetëm për shkak të ngarkesës, por edhe për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Akademia.al platformë që Ministria e Arsimit këshillon për të ndjekur procesin mësimor, ashtu siç ka raportuar më herët Faktoje, edhe në fillim të javës së shkuar ishte e paaksesueshme. Nxënës, prindër dhe mësuesve të disa shkollave 9-vjeçare, njoftuan se nuk arritën ta zhvillojnë mësimin përmes saj.
Screenshot i datës 15 shkurt që njofton nxënësit të regjistrohen në akademi.al
Screenshot i njoftimit të mësueses së një shkolle 9 vjeçare në Tiranë, 16 shkurt
Edhe në zonat periferike, mungesa e internetit apo e valëve të telefonit është e theksuar dhe pajisja me tabletat që raportohet se janë shpërndarë nga MASR, e bën shpesh të pamundur të mësuarit online.
Faktoje kontaktoi me nxënës të shkollës së mesme të Bashkuar “Ndue Pjetra” në Luf të Pukës.
N.E, nxënës i klasës së 9 thotë:
“Javën që kishim mësim online nuk kemi bërë, në fillim nuk kishim drita pastaj mësuesit komunikonin me prindërit dhe me mesazh na jepnin disa detyra shtëpie, në shtëpi nuk kam internet.”
“Kam tre femije në shkollë, unë nuk ia dal dot të bëj oferta për telefonin, mësuesit bëjnë çfarë të munden vetëm të marrin fëmijët mësimin, por është e pamundur. Është situatë e vështirë, fëmijët po humbin vitin shkollor duke qenë shumë të çorientuar për atë që duhet të bëjnë dhe të mësojnë.”- i tha Faktojes T.D
Në muajin janar, Ministria e Arsimit njoftoi se në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), kreu një sondazh vlerësues për ecurinë e mësimit “online” për sistemin parauniversitar dhe atë universitar.
Sondazhi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit në muajin janar
Faktoje u interesua pranë MASR për rezultatet e këtij sondazhi, më 25 janar dhe zyra e shtypit na pohoi se po bëhej vlersimi i të dy cikleve, por ky proces do të vononte deri sa të bëheshin publike.
Më 11 shkurt, nga MASR na u komunikua se vlersimi është bërë, por nuk do të publikohej.
Edhe pse Ministria e Arsimit nuk i publikoi gjetjet mbi ecurinë e mësimit të kombinuar, një raporti të fundit te bankës boterore i publikuar pak ditë më parë ilustroi se në çfarë niveli është produktiviteti i këtij procesi mësimor.
“Mesatarisht, një në dhjetë familje me nxënës në Ballkanin Perëndimor nuk ka kompjuter. Në Shqipëri, kjo shifër rritet me thuajse një të tretën, 28 për qind. Ka dallim të madh midis pronësisë mbi burimet e TIK-ut dhe përdorimit të tyre për arsimim. Ndërsa mesatarisht 86 për qind e nxënësve raportojnë se kanë qasje në kompjuter që mund ta përdorin për detyra shkolle, kjo përqindje ka gjasë të jetë më e ulët në raste izolimi.Raporti i Bankës Botërore ka përllogaritur se 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilëzuar ndryshe si varfëri arsimore. Këto vështirësi janë nga të mësuarit online.
Mbylljet e shkollave do të thellojnë pabarazinë në të nxënit, e cila ishte e madhe dhe pa mbylljen e shkollave. Hendeku i arritjeve ndërmjet nxënësve më të varfër dhe më të pasur, që aktualisht është nga 1,5 vjet shkollim në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë (66 pikë PISA) në mbi 2 vjet në Maqedoninë e Veriut (90 pikë PISA), ka gjasë të rritet më tej, pasi nxënësit në rrethana varfërie kanë më pak gjasa të përfitojnë nga metodat e të nxënit në distancë.”
Lexo edhe:
Mësimi i kombinuar po rezulton jo produktiv në Shqipëri, edhe Italia kundër mësimit në distancë