Lajmi se shteti amerikan i Teksasit ka futur me detyrim mësimin e Biblës në shkollat publike është i rremë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se propozimi në fjalë mbetet ende në formën e projektligjit. Për më tepër, ai nuk i referohet ekskluzivisht Biblës, por çfarëdo teksti fetar, dhe parashikon specifikisht se pjesëmarrja në mësimin e teksteve fetare duhet të jetë vetëm me zgjedhje të lirë.

——————————–

Portali JOQ Albania postoi më 24 prill 2023 lajmin se Teksasi fut me detyrim mësimin e Biblës në shkollat publike”.

Në të vërtetë, ky titull është i pasaktë.

Siç detajon dhe vetë artikulli në brendinë e tij, senati i shtetit të Teksasit miratoi dy projektligje në 20 prill 2023.

Përpara se këto projektligje të hyjnë në fuqi si ligje, fillimisht duhet të kalojnë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të Teksasit për aprovim. Më pas, projektligji i aprovuar nga të dy institucionet ligjbërëse bëhet ligj me firmën e guvernatorit të shtetit.

Njëri prej projektligjeve, i propozuar nga senatori Phil King, parashikon vendosjen e “Dhjetë Urdhëresave” në klasat e shkollave publike duke filluar nga Shtatori i ardhshëm.

Ndërkohë, projektligji i dytë, S.B. 1396, ndryshe nga çfarë pretendon titulli i artikullit të JOQ, nuk do të fuste mësimin e Biblës me detyrim në shkollat publike, duke qenë se kjo do të përbënte një shkelje të parimit të laicitetit dhe ndarjes së shtetit dhe fesë.

Ajo çka ky projektligj, i propozuar nga senatori Mayes Middleton, parashikon është që shkollat publike duhet t’u japin nxënësve dhe punonjësve mundësinë të marrin pjesë në një kohë lutjeje dhe leximi të Biblës ose tekste të tjerë fetarë gjatë ditës. Projektligji i ndalon nxënësit të marrin pjesë në këto lutje apo lexime të Biblës nëse ata nuk kanë një formular të firmosur nga prindi që konfirmon se ky i fundit është dakord për pjesëmarrjen. 

Siç specifikon vetë projektligji, “askush nuk do të lejohet të jetë i pranishëm gjatë një lutjeje ose lexim Bible nëse ata nuk kanë depozituar një formular të firmosur që vërteton zgjedhjen e tyre të lirë për dëgjimin ose pjesëmarrjen në aktivitet, deklaron që ata nuk kanë asnjë kundërshtim kundrejt dëgjimit apo pjesëmarrjes në këtë aktivitet, dhe heq dorë nga çfarëdo pretendim kushtetues që ata mund të sjellin kundër distriktit shkollor ose zyrtarëve të shkollës.”

Projektligji S.B. 1396

Këto parashikime janë një parambrojtje ligjore, duke qenë se, siç thamë më sipër, “futja me detyrim e mësimit të Biblës” në shkolla publike, do të përbënte një cënim të një sërë ligjesh dhe parimesh ligjore që kanë të bëjnë me laicitetin e shtetit. 

Mësimi i çfarëdolloj teksti fetar “me detyrim” në shkolla publike do të çonte me gjasa në një lumë padish ligjore kundrejt shtetit të Teksasit.

Për arsye të ngjashme, projektligji gjithashtu specifikon se ai “nuk limitohet vetëm në një tekst fetar specifik”.

Pra, artikulli i JOQ Albania nuk interpreton saktë kur prezanton një projektligj si fakt të kryer, kur deklaron se kemi të bëjmë me “mësim me detyrim”, dhe kur specifikon se kemi të bëjmë me mësim të Biblës.