BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI rremë alarmi për vendosjen e armëve bërthamore ruse në kufirin finlandez

I rremë alarmi për vendosjen e armëve bërthamore ruse në kufirin finlandez

Rusia nuk po dërgon armë bërthamore në kufirin e saj me Finlandën, siç pretendohet në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje sjell një sërë faktesh, referuar burimeve të besueshme se kemi të bëjmë me një informacion të rremë.

Më 4 prill 2023, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s, ndërsa në internet filluan të qarkullonin lajme të rreme për pasojat e këtij anëtarësimi. Një prej këtyre informacioneve është dhe ai për vendosjen e armëve bërthamore ruse në kufirin me Finlandën. Një lajm i tillë u shpërnda në Facebook në 9 prill edhe nga një profil shqiptar. “Rusia vendos armët bërthamore përgjatë kufirit me Finlandën”, shkruan “Investiguesi Shkrimor”.

Postimi është shoqëruar me një video, e cila pretendohet se tregon pajisje bërthamore që mbërrijnë në qytetin rus të Vyborg, pranë kufirit finlandez.

Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale 

Lajmi është ndarë kryesisht nga media pro-ruse dhe është verifikuar gjithashtu nga kolegët e France24. Në verifikimin e kryer konstatohet se në fakt pamjet i përkasin një qyteti në verilindje të Moskës, të quajtur Kolchugino, larg kufirit ruso-finlandez. Nëpërmjet “Google Street View” shihet saktësisht se janë të njëjtat ndërtesa dhe kryqëzime që shfaqen edhe në videon e shpërndarë në rrjetet sociale.

Për sa i përket sistemit të raketave në klip, ato janë identifikuar si sisteme raketore RS-24 Yars të trajtuara nga Forcat Raketore Strategjike të Rusisë.

Këto lloj raketash dhe pajisje të tjera shfaqen çdo vit në Rusi. Çdo 9 maj, autoritetet ruse organizojnë Paradën e Ditës së Fitores për të përkujtuar fitoren e saj në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Kolchugino është një qytet përmes të cilit kalojnë këto sisteme të lëshimit të raketave, për t’iu drejtuar Moskës.

Mediat e huaja, të cilat gjithashtu verifikuan pamjet e shpërndara, gjetën një video që i përket 13 majit të vitit 2015 me titull “Kthimi i pajisjeve nga parada e Fitores në Moskë përmes Kolchugino”. Edhe në këtë video shihet që është përdorur i njëjti sistem raketash dhe pajisjesh ushtarake.

Sipas faqes së internetit të forcave ruse, ekziston një bazë rreth 2 orë larg Kolchugino, që mban sistemin raketor Yars.

Pra, video e shpërndara në rrjetet sociale nuk tregon asnjë zhvillim të tillë afër kufirit ruso-finlandez dhe pretendimet e bëra për vendosje të armëve bërthamore si përgjigje ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO janë të rreme.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img