Studimet klinike të kryera në mënyrë rastësore kanë treguar se medikamenti Ivermectin nuk funksionon kundër Covid-19, ndryshe nga çfarë pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Organizmat e rëndësishëm shëndetësor në botë shprehen kundër përdorimit të tij për të luftuar virusin.
Përdorues në rrjetet sociale pretendojnë se një medikament, i quajtur Ivermectin, do të nxirrte jashtë loje vaksinat kundër Covid-19 dhe për këtë arsye u sulmua nga kompanitë e fuqishme dhe jo vetëm.
“Ivermictina shpesh është quajtur si e dyta pas penicilinës, për rezultatet e saj te njerëzit… Ekzistenca e saj ishte nje bombë per biznesin 200 miliardësh të vaxinave…”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
A funksionon vërtetë ky trajtim kundër Covid-19? Një verifikim i bërë nga kolegët e “Factcheck.org” sjell provat që tregojnë se medikamenti nuk funksionon për të trajtuar Covid-19.
“Nga provat e shumta klinike që janë kryer, të rastësishme në mijëra pjesëmmarës, nuk është treguar që ivermectina të ketë ndonjë përfitim klinik domethënës për trajtimin e hershëm, ambulator të COVID-19”, argumentoi doktor David Boulware, profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Minesotës
Më tej, ai shtoi për “Factcheck.org”: “Në mënyrë të veçantë, dy prova të mëdha klinike të rastësishme në shumë vende (Covid-Out; ACTIV-6) janë përfunduar në Shtetet e Bashkuara. Këto dy prova dështuan në zbulimin e ndonjë përfitimi statistikisht të rëndësishëm të ivermectin”.
Studimi që ringjalli pretendimet se Ivermectin funksionon kundër COVID-19 përdori të dhëna nga një program në Itajaí, një qytet në Brazilin juglindor, në të cilin banorëve iu ofrua ivermectin për të parandaluar COVID-19, në periudhën kohore korrik-dhjetor 2020.
Por, siç raportojnë kolegët e ‘Factcheck.org”, studimet ishin të paplota dhe kishte konflikte të shumta interesi. Dy nga autorët kanë lidhje financiare me një prodhues ivermectin dhe katër prej tyre punonin për organizata që promovojnë ivermectin si një trajtim për COVID-19.
Studimi i çalë u ndërthur me një informacion të rremë se faqja e udhëzimeve të trajtimit të COVID-19 të Institutit Kombëtar të Shëndetit “kishte shtuar” Ivermectin si një trajtim të rekomanduar. Por kjo nuk është e saktë. Ilaçi është renditur në faqen e NIH për trajtime antivirale ( 12 qershor 2021) si një ilaç “që po vlerësohet për të trajtuar COVID-19”. Por NIH nuk rekomandon përdorimin e Ivermectin për trajtimin e COVID-19 pa u testuar klinikisht.
Në faqen zyrtare të NIH nuk ka pasur asnjë ndryshim për të rekomanduar Ivermectin si trajtim për virusin. Faqja ku jepen informacione mbi Ivermectin thotë qartë në një përditësim të bërë më 29 prill 2022, se udhëzimet e agjencisë nuk rekomandojnë përdorimit e ilaçit për trajtimin e COVID-19.
Provat e kryera mbi përdorimin e Ivermectin
Më shumë se 80 studime në mbarë botën kanë ekzaminuar përdorimin e Ivermectin për të trajtuar ose parandaluar COVID-19. Por, asnjë provë nuk ka rezultuar e sukseshme në trajtimin e këtij virusi me ilaçin antiparazitar.
Në maj, studiuesit e “Together” në Brazil arritën në përfundimin se trajtimi me një dozë të moderuar ditore të Ivermectinës për tre ditë: “nuk rezultoi në një incidencë më të ulët të shtrimit mjekësor në spital për shkak të përparimit të Covid-19” .
Në qershor, prova e kryer nga “ACTIV-6”, e financuar nga NIH, raportoi se një dozë e moderuar ditore e Ivermectinës për tre ditë: “nuk uli incidencën e shtrimit në spital ose vdekjen midis pacientëve ambulatorë me COVID-19. në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhave kohore të variantit delta dhe omicron”.
Në gusht, studiuesit e “Covid-Out” të Universitetit të Minesotës, i cili studioi përdorimin e Ivermectin, Metformin dhe Fluvoxamine për COVID-19 te 1,323 pacientë me një infeksion SARS-CoV-2, raportoi se “asnjë nga tre medikamentet nuk parandaloi shfaqjen e hipoksemisë, vizitat në departamentin e urgjencës, shtrimin në spital ose vdekjen e lidhur me Covid-19.”
Vlen të theksohet se ilaçi antiparazitar nuk është miratuar apo autorizuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për të parandaluar ose trajtuar COVID-19. Ivermectin është miratuar për përdorim njerëzor vetëm për trajtimin e disa kushteve të shkaktuara nga parazitët.