.

.

BallinaNë lupën e FakteveMë i lartë inflacioni se shtesa e pagave, rritja me 40% për mjekët deri në fund të mandatit rrezikon të mos përmbushet

Më i lartë inflacioni se shtesa e pagave, rritja me 40% për mjekët deri në fund të mandatit rrezikon të mos përmbushet

Një prej zotimeve të qeverisë, të përcaktuar edhe në programin qeverisës 2021-2025 ishtë rritja me 40% e pagave për stafin mjekësor deri në fund të këtij mandati. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi vendimin e qeverisë për rritjen e pagave për këtë sektor me 6%, duke nisur nga data 1 korrik e këtij viti. Në një kohë kur inflacioni ka arritur në nivele rekord, kjo shtesë nuk do të ndihet për mjekët. Nga ana tjetër, që të arrihet mbajtja e premtimit për rritjen 40% të pagave deri në fund të mandatit, duhet që rritja mesatare progresive vjetore të ishte rreth 8.8% në vit, po t’u referohesh të dhënave zyrtare.

programin qeverisës 2021-2015 ndër të tjera përcaktohet rritje page për mjekët dhe infermierët.

“Duke filluar nga korriku 2022, rrisim gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar pagat e administratës: Rrisim pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve me 40% deri në fund të mandatit të tretë”, theksohet në programin qeverisës.

Screenshot nga program qeverisës 2021-2025

Në buxhetin e vitit 2022, para se të fillonin presionet e rritjes së çmimeve në mënyrë të ndjeshme, qeveria u angazhua për të rritur pagat e sektorit të shëndetësisë me 6% në vitin 2022, duke nisur nga muaji korrik.

“Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë”, thuhet në relacion.

Screenshot nga relacioni për projektbuxhetin e vitit 2022

Mirëpo, për të përmbushur angazhimin e programit qeverisës për një rritje prej 40% deri në fund të mandatit, rritja mesatare progresive vjetore duhej të ishte rreth 8.8% në vit.

Rritja prej 6% e premtuar për vitin 2022 është në vlerën prej 8.8%, çka do të thotë se rritja në vitet e ardhshme për të kapur premtimin duhet të jetë më e lartë se ajo e angazhuar për vitin 2022.

Nga ana tjetër, në 6 korrik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi lajmin e rritjes së pagave pas vendimeve të marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

“Duke filluar nga data 1 korrik, për të gjithë mjekët, infermierët, teknikët e laboratorit, imazherisë, të gjithë profesionistët e shëndetësisë që ofrojnë shërbime për qytetarët, pagat e tyre rriten me 6%. Përfitojnë mbi 19 mijë profesionistë të shëndetësisë në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Postimi i ministres Manastirliu në Facebook

Por, sa do të ndihet kjo rritje për stafin mjekësor, në një kohë kur inflacioni ka arritur në shifra rekord?

Faktoje iu referua relacionit mbi “Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022” për të parë nivelet e parashikuara të inflacionit.

Referuar relacionit të buxhetit, inflacioni i parashikuar në fillim të vitit ishte 2.8%. Nëse do bëhej një rritje page prej 6% që në fillim të vitit, gjë që nuk ndodhi, rritja reale e pagave do të ishte afërsisht 3.2% për sektorin e shëndetësisë.

Screenshot nga relacioni mbi “Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022”

Mirëpo, gjatë vitit 2022 kemi pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve që vazhdojnë edhe për pjesën e mbetur të vitit. Sipas INSTAT, “ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin qershor 2022 është 7,4 %”.

Screenshot nga faqja e INSTAT

Ndërsa ndryshimi mesatar vjetor për 6 muajt e parë të vitit 2022 është 5.6%. Nëse do t’i referohemi këtij ndryshimi, duke supozuar që do të mbetet konstant, rritja e pagave nëse do të kishte filluar nga 1 janari për vitin 2022 do të ishte vetëm 0.4%. Nëse marrim në konsideratë që pagat do rriten vetëm për 6 mujorin e dytë, rritja mesatare vjetore e pagave për vitin 2022 është 3%.

Ndërkohë, inflacioni vjetor mesatar i pritshëm për vitin 2022 sipas databazës më të fundit të FMN-së është 5.52%.

Në një kohë kur inflacioni mesatar është 5.5% dhe rritja e pagës mesatare për vitin 2022 për personelin mjekësor është 3%, rezulton që për mjekët kjo “rritje” në fakt del me minus, pra 2.5% më pak.

Përpos premtimit për rritjen e pagave, efektet e saj nuk do të ndihen, pasi inflaconi në vend ka arritur në shifra rekord.

Faktoje pyeti kryetarin e Sindikatës së Mjekëve, Gent Stroni në lidhje me këtë rritje. Ai u shpreh se janë në pritje të muajit gusht, kohë kur kalon edhe paga e korrikut, për të parë se në çfarë mase ështe reflektuar shtesa.

“Rrogat e korrikut merren në gusht. Jemi edhe ne në pritje të tyre”, tha Stroni.

Mjekët në vendin tonë kanë shprehur shpesh pakënaqësi në lidhje me pagat, duke theksuar se janë të keqpaguar, krahasuar edhe me kolegët e tyre në rajon.

Të pakënaqur nga rritja prej 40% që iu bë dy vite më parë, ata argumentonin: “Ne nuk jemi tek 40%. Ne kemi argumentime të tjera. Jemi vendi me pagat më të ulëta në gjithë rajonin. Duam që të argumentojmë atë rritje që mund të mos jetë 40, por 41%, por le ta shikojmë”.

Pagat e mësuesve

Pjesë e programit të qeverisë është edhe rritja e pagave për mësuesit. Në muajin prill, Faktoje raportoi se pagat e mësuesve pritet të rriten me 6% këtë vit, sipas një premtimi të ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Por, mësuesit kanë rezervat e tyre, pasi së pari ata nuk janë të informuar se mbi ç’baza do të bëhet kjo rritje.

“Nuk kemi ende rritje rrogash në 2022. Është premtuar që do rriten 6% në korrik, por nuk është bërë e ditur 6% e rrogës totale, e pozicionit apo e bazës? Kështu është e paqartë sa do jetë rritja. Mbetet problem indeksimi i inflacionit. Mësuesit vazhdojnë të jenë të pakënaqur me rrogat dhe kjo ka sjellë që degët e mësuesisë në universitete nuk po preferohen nga të rinjtë” – u shpreh Isa Halili nga Sindikata e Arsimit në muajin prill.

Nga ana tjetër, inflacioni i lartë dhe shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve, për shkak të krizës nga lufta në Ukrainë vë në diskutim nëse rritja 6% e pagës do të jetë domethënëse.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img