BallinaFaktometerE vërtetëRritja e buxhetit të Shëndetësisë me 75% në krahasim me 2013-n dhe propaganda me shifrat

Rritja e buxhetit të Shëndetësisë me 75% në krahasim me 2013-n dhe propaganda me shifrat

Buxheti për shëndetësinë ka pësuar një rritje prej 75% këtë vit, krahasuar me vitin e parë të qeverisjes së socialistëve. Mirëpo, ekspertët sqarojnë se krahasimi i artikuluar nga ministrja e Shëndetësisë, nuk është i drejtë, pasi në 2013-n një lek “blinte” më shumë se sot. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i përket shpenzimeve buxhetore për sektorin e shëndetësisë. Ndërsa pandemia e Covid 19 tregoi edhe sesi fondi prej 9.8 mln Eurosh u kthye në një skemë fiktive, ndërsa qytetarët rritën shpenzimet nga xhepi për t’u kuruar.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke folur për planin e ri të investimeve në shëndetësi, në seancën plenare të datës 9 qershor të këtij viti tha:

“Dhe fakti që në 8 vite buxheti i shëndetësisë është rritur me 73% tregon që prioriteti për të transformuar sistemin shëndetësor mbetet në fokusin e punës sonë”.

Nisur nga kjo deklaratë e ministres, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, duke iu referuar buxhetit të shëndetësisë në vitin 2013 (kohë kur socialistët morën pushtetin), për ta krahasuar me buxhetin e këtij institucioni në ditët e sotme.

vitin 2013, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, shpenzimet sipas funksioneve për Shëndetësinë ishin 37,132,140 lekë.

Ndërkohë, buxheti i parashikuar për këtë sektor në vitin 2022, po sipas të dhënave nga Ministria e Financave është 64,961,637 lekë.

Nga përpunimi i të dhënave që bëri Faktoje, rezulton se ka një rritje të buxhetit për shëndetësisë me 75%, duke krahasuar këtë vit me vitin 2013, kur PS mori mandatin e parë qeverisës pas asaj të drejtuar nga PD për tetë vite.

Tabela e përpunuar nga Faktoje me të dhënat e Ministrisë së Financave

“Buxheti është rritur me 75%, sipas shifrave të Ministrisë së Financave. Rritjet kryesore identifikohen në këto zëra, ku zëri kryesor është transferta, e cila përgjithësisht shkon për mbulimin shëndetësor që paguhet nga FSDKSH, ku përfshihen edhe pagesat për koncensionet dhe PPP-të në fushën e shëndetësisë.

Por, krahasimi në vlerë nominale lekësh, nuk është një krahasim i saktë, sepse një lek në 2013-n blinte më shumë se një lek në 2022-n. Prandaj shpenzimet në shëndetësi, për të kuptuar përshtatshmërinë e tyre dhe madhësinë, pa iu futur fushës së efektivitetit, shihen sesa harxhon një vend si përqindje e aktivitetit ekonomik që tek ne matet si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto”, sqarojnë ekspertë të ekonomisë për Faktoje.

Faktoje gjeti edhe shifrat e Produktit të Brendshëm Bruto të botuara në World Economic Outlook-un e fundit të FMN-së dhe krahasoi sa janë shpenzimet buxhetore si përqindje e PBB-së që shteti shqiptar harxhon në fushën e shëndetësisë. Nga të dhënat na rezultoi se shpenzimet në shëndetësi në vitin 2013 ishin 2.8% e PBB-së dhe në 2022 janë rreth 3.3%, me një rritje të peshës 0.5% të PBB-së.

Tabela e përpunuar nga Faktoje

A është kjo rritje e përshtatshme dhe e mjaftueshme sipas ekspertëve?

“Edhe sikur të marrim parasysh që këto janë shërbime të kryera me eficencë, ndonëse po flitet në media për skandale në fushën dhe efikasitetin e koncesioneve e PPP-ve, referuar raportit të Bankës Botërore, Shqipëria është nga vendet e fundit në rajon në mbështetjen për shëndetësinë”.

Të fundit në rajon për shpenzimet për sektorin e shëndetësisë

Në muajin prill të këtij viti, Faktoje raportoi se Shqipëria renditet e fundit në rajon për shpenzimet buxhetore për shëndetësinë, krahasuar me vendet e rajonit, çka ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, duke detyruar këta të fundit të paguajnë nga xhepi për të marrë shërbim mjekësor.

Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2018, Shqipëria shpenzoi 275 dollarë amerikanë për frymë për kujdesin shëndetësor, më pak se gjysma e mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rreth një e pesta e mesatares së vendeve të Balltikut dhe atyre të Europës Juglindore.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë qartë se shpenzimet e brendshme për shëndetin publik në vendin tonë janë mjaft të ulëta, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët sipas këtyre të dhënave e kanë 5% të PBB-së (produktit të brendshëm bruto), vendeve të Balltikut që e kanë 4.3% dhe atyre të Europës Juglindore që arrin në 5.3%.

Screenshot nga raporti i Bankës Botërore

Kostot e larta të shpenzimeve të qytetarëve shqiptarë për shëndetësinë u vunë në dukje sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Në një artikull të publikuar në mars të këtij viti, Faktoje raportoi se si miliona eurot e vëna në dispozicion për rimbursimin e recetës COVID-19 nuk u shfrytëzuan me efikasitet, duke nxjerrë në pah një skemë “fiktive” mbështejeje. Nga 9.8 mln Euro të vëna në dispozicion, u shpenzuan vetëm 242 mijë Euro, ose 1 e 40-a e fondit, duke bërë që shqiptarët të jenë të parët në Evropë për shpenzimet nga xhepi në përballimin e COVID -19.

Investimet në shëndetësi të parashikuara në 2022

Duke folur për buxhetin në sektorin e Shëndetësisë në nëntor të vitit 2021, ministrja Manastirliu tha se për vitin 2022 ka një rritje prej 12,6 % vetëm për shëndetësinë. Ajo theksoi se me këtë buxhet do të garantohet vaksinimi i plotë anti-Covid, si dhe do të zgjerohen investimet.

“Sa i takon investimeve, buxheti i vitit 2022 parashikon fillimin e investimit madhor në Spitalin Infektiv, rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, rikonstruksionin e 50 qendrave shëndetësore, si dhe vijimin e një seri investimesh:

Vazhdimin e projektit për modernizimin radikal të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza: Modernizimi i QSUT – Përfundon faza e parë, e ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme. Vijimi i punimeve për rikonstruksionin e Spitalit të Pediatrisë faza e dytë. Vijimi i punimeve për modernizimin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik ‘Mbretëresha Gelardinë’. Përfundimi i punimeve të fazës II-të të rikonstruksionit të spitalit rajonal Kukës. Përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët.Përfundimin e rikonstruksionit të Pediatrisë së Spitalit Rajonal Elbasan”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa në 6 korrik, ministrja Manastirliu njoftoi vendimin e qeverisë për rritjen e pagave me 6% për stafin mjekësor. Ministrja bëri të ditur se efekti vjetor i rritjes së pagave është 10 milionë dollarë dhe nga ky vendim përfitojnë 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë shëndetësorë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img