Qeveria vendosi të mbyllë përkohësisht aplikacionin TikTok, si masë për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë. Ky vendim shkaktoi reagim të fortë nga kreu i PD, Sali Berisha, i cili bëri thirrje për bojkot të orës së parë të mësimit ditën e hënë më 10 mars. Shumica e prindërve nuk iu përgjigjën thirrjes.
Më datë 6 mars, qeveria mori vendimin për mbylljen e aplikacionit TikTok për një periudhë prej 12 muajsh.
“Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për TikTok për 12 muaj”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ky vendim i qeverisë u prit me kundërshtime nga kreu demokrat, Sali Berisha.
Gjatë një komunikimi me mediat më 7 mars, Berisha kërkoi nga prindërit dhe nxënësit që të bojkotojnë orën e parë të mësimit ditën e hënë, më 10 mars, si shenjë proteste ndaj këtij vendimi të qeverisë.
“Ju keni të drejtë të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimet. Ditën e hënë përshembull, orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë. U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë, orën e parë”, apeloi Berisha.
Ai theksoi se asnjë kryeministër s’ka të drejtë të privojë qytetarët nga një mjet komunikimi.
“Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi”, shtoi kryedemokrati.
Por, prindërit nuk iu përgjigjën kësaj thirrjeje të kryedemokratit për bojkot. Faktoje.al bëri një verifikim dhe pyeti disa prindër në shkollën “Emin Duraku”, “Edith Durham” dhe shkollën “Kosova”. Prindërit e pyetur thanë se nuk ishin të dijeni të kësaj thirrjeje të kreut demokrat, duke theksuar se janë plotësisht dakord me mbylljen e TikTok.
“Kjo është një platformë që kësaj moshe (13 vjeç) as nuk i nevojitet, përveç se harxhojnë kohën në mënyrë të gabuar, ngarkohen me negativitet. TikTok nuk ka asnjë shembull pozitiv dhe kësaj moshe as nuk i duhet fare”, thotë Sonila, nënë e një djali në shkollën “Emin Duraku”.
Të njëjtin mendim ndan edhe Fjori, vajza e së cilës studion po në këtë shkollë.
“As nuk e mendoj të bojkotojmë mësimin se do mbyllet TikTok. Të mbyllet TikTok, pa u menduar fare”, shprehet Fjori, nënë e një vajze në klasën e gjashtë.
Eliza, nënë e një vajze 12-vjeçare në shkollën “Edith Durham” shpreson që mbyllja e kësaj platforme të ketë ndikimim pozitiv për të rinjtë.
“Plotësisht dakord për mbylljen e TikTok, vendim i duhur. Nuk besoj se zgjidh të gjitha problemet e shoqërisë sonë, por mendoj dhe uroj të ketë ndikim pozitiv në rritjen dhe edukimin e fëmijëve tanë”, shprehet Eliza.
Madje, Marsela, prind i një vajze në shkollën “Kosova” kërkon që kjo platformë të mbyllet plotësisht, jo thjesht që të ketë kufizim të përkohshëm.
“Vendim më të mirë nuk kishte ku të shkonte më. Jam shumë dakord për mbylljen fare të TikTok, jo më kufizim, por ta mbyllin fare”, thotë Marsela.
“Të mbyllet, çfarë të mirë po u sjell adoleshentëve?! Do ishte mirë të mos ishte hapur fare”, thotë e shqetësuar Eri, nënë e një djali në klasën e 8-të.
Kur do të mbyllet TikTok?
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu deklaroi më 6 mars se platforma do të mbyllej brenda disa ditëve në Shqipëri, por nuk dha një datë të caktuar.
“Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, e cila me entet përkatëse do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë, apo një javë e pak do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të përkohshme të aksesit në platformën e Tik Tok”, bëri të ditur Manastirliu.
Më tej ajo theksoi edhe njëherë se mbyllja e këtij rrjeti social do të jetë e përkohshme.
“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë, deri në 12 muaj, për të bërë të mundur që në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok të mundemi që të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë”, argumentoi ministrja e Arsimit.
Në fund të muajit dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma sociale TikTok do të mbyllej brenda 6-8 javëve në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, kjo masë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri që dyshohet se kishte si pikënisje një postim në TikTok.
“Do të na duhen 6-8 javë, për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë TikTok. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok e Kinës”, deklaroi kryeministri Rama më 21 dhjetor 2024.
Në një artikull të publikuar nga Faktoje.al më 21 shkurt, raportuam se TikTok nuk u mbyll për 8 javë siç deklaroi Rama.