Organizata Fact Chekcking Faktoje në bashkëpunim me qendrën Hana në Lezhë kanë kryer një sërë trajnimet me nxënës dhe mësues në shkollën e mesme “Karl Gega” në Balldrën dhe në Shkollën e Bashkuar Ishull-Lezhë. Ekspertët kanë punuar më të rinjtë, por edhe me mësuesit për ti njohur me rëndësinë e verifikimit të burimeve të informacionit dhe teknika të thjeshta sesi ata nuk duhet të bien pre e dizinformimit dhe lajmeve të rreme.
Para se të nisnin trajnimet në shkollën “Karl Gega” shumë nxënës treguan që kishin rënë preh e deziinformimit për çështjen e vaksinës anti-covid. Këtë e konfirmuan dhe nxënësit gjatë trajnimit.
“Unë kam dëgjuar Alfred Cakon e deri diku e besoj që ka një mikroçip, jam 50-50. Kam lexuar dhe në internet disa lajme që tregohet se do të ulet numri i popullsisë pas bërjes së vaksinës.”- tregon Donaldi, maturant.
Një nxënës tjetër shprehet se beson ato çfarë ka lexuar nëpër portale të ndryshme.
“Nëpër portale kam lexuar se nuk mund të bësh më fëmijë, e kam dëgjuar dhe në televizor. Pastaj dhe familja ime e thotë këtë, prandaj nuk dua ta bëj.”
“Unë jam një nxënese e shkollës “Karl Gega” Balldren dhe nuk kam dëshirë ta bëj vaksinën, sepse nuk i besoj fare shkencës moderne në këtë rast, së pari nuk më garantohet kualiteti i vaksinës me fakte , nuk më garantohet se s’do të ketë kalim të efekteve anësore me telashe psikologjike ose të tjera fatale!
Në lajme çdo ditë shohim informacione të ndryshme rreth saj dhe asnjë nuk është i bazuar në një fakt të vërtetë. Nuk dëshiroj të bëj një vaksinë që askush nuk mban përgjegjësi për të, përgjegjësia për jetën bie e gjitha mbi mua.”-shpjegon Marsi, maturante e shkollës “Karl Gega.”
Pas trajnimeve nga Faktoje dhe organizatorët e tjerë nxënësit filluan të verifikonin dhe të kontrollonin burimet.
“Tani po tentoj të verifikoj nëpër faqet zyrtare si OBSH dhe Ministria e Shëndetësisë lajmet mbi vaksinën dhe efektet anësore, duken më bindëse se kanë studime dhe fakte brenda. Këtë do përpiqem t’iua shpjegoj dhe prindërve që duhet të verifikojnë burimet nga marrin informacionet.”- u shpreh Doriani që aktualisht është në vit të dytë.
Pas disa trajnimeve që ekspertët e Faktojes zhvilluan me ta të rinjtë të fushës zhvilluan, të rinjtë filluan duke testuar veten përgjatë leximit të lajmeve të ndryshme me një qasje kritike. Ata analizuan mënyrën si konceptohet, përpunohet një lajm apo komunikatë informuese për audiencën jashtë grupit të tyre si dhe se si mund të verifikojnë burimet.
“Na shërbeu shumë se deri dje lexoja çdo gjë që thuhej në media, mjaftonte të dilte e unë thoja që ishte e vërtetë. Tani shikoj dhe verifikoj dhe burimet, rregulli numër një kontrollo informacionin në disa burime e nëse ato janë zyrtare akoma më mirë.”- shprehet një maturante pas përfundimit të trajnimit.
Organizata Fact Checking Faktoje dhe ekipi i H.A.N.A, po zbatojne projektin “Edukimi mediatik ne komunitetet lokale ne Shqiperi” në kuader të PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
Ky botim u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është
përgjegjësia e vetme e organizatës Faktojes dhe jo domosdoshmërisht pasqyron opinionin e Bashkimit
Europian.’