Raimond Kola
Shtrati i Lumit “Drino” në Gjirokastër është përplot me mbeturina, të cilat po rrezikojnë jo vetëm gjallesat dhe bimësinë, por kërcënojnë edhe shëndetin e njerëzve, sidomos gjatë muajve të verës kur lumi frekuentohet vecanërisht nga të rinjtë dhe fëmijët. Bashkitë Gjirokastërs, Libohovë dhe Dropull, kanë premtuar freminin e ndotjes së shtratit të Lumit Drino përmes vendosjes së gjobave për shkaktarët e ndotjes, por siç pranojnë vetë zyrtarisht, gjatë vitit 2021, nuk u ndëshkua asnjë biznes apo qytetar që ka ndotur lumin.
“Detyrimisht ne do të vemi dhe tek gjoba siç kemi vajtur tek gjoba për plehrat që hidhen vend e pa vend në përrenjtë e Gjirokastrës, do shkojmë tek gjoba edhe për bizneset dhe qyetarët që ndotin lumin Drino.”- deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Ylli Muho, dy vite më parë.
Gjatë një verifikimi në terren përgjatë rrjedhës së lumit Drino, që kalon në bashkitë, Gjirokastër, Dropull e Libohovë konstatuam grumbuj mbetjesh në të të gjitha llojeve, duke nisur nga inertet, plastika, qelqi etj.
Zonë e ndotur pranë shtratit të lumit Drino, janar 2022
Grumbuj mbetjesh përgjatë lumit Drino, Gjirokastër janar 2022
Mbetjet plastike mbulojnë edhe bimësinë përgjatë Drinos
Pamjet në terren tregonin se ndotja e lumit vijon pa u ndalur, ndaj Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion tri bashkive në qarkun Gjirokastër nëse gjatë vitit 2021 kishte pasur gjoba ndaj subjekteve apo individëve që hedhin mbeturina apo inerte në shtratin e lumit “Drino”.
Kërkesë për informacion drejtuar bashkisë Gjirokastër
Në përgjigjen dërguar për Faktoje Bashkia e Gjirokastër konfirmon se gjatë vitit 2021, nuk ka pasur asnjë gjobë për ndotjen mjedisore të Lumit Drino dhe se janë vendosur vetëm 2 gjoba, për shkak të hedhjes së inerteve në territor.
“Gjatë vitit 2021 nuk ka pasur asnjë gjobë për ndotjen mjedisore të Lumit Drino.
Gjatë vitit 2021 nga Bashkia Gjirokastër konkretisht nga Policia Bashkiake, janë vendosur dy gjoba, për shkak të hedhjes së inerteve në territorin e Bashkisë Gjirokastër. E para është vendosur më datë 07.08.2021 me anë të procesverbalit, nga grupi i kontrollit të Policisë Bashkiake duke gjobitur kundravajtësin G.R me vlerën 10.000 lekë.
Kundravajtësi ka hedhur në hapësirën publike, mbetje inerte në lagjen “11 Janari”. Gjoba e dyte është vendosur më datë 29.12.2021 me anë të procesverbalit, nga grupi i kontrollit të Policisë Bashkiake duke gjobitur kundravajtësin J.S, me vlerën 5.000 lekë. Kundravajtësi ka hedhur në hapësirën publike, mbetje inerte në rrugën nacionale Gjirokastër -Virua.”-thuhet në përgjigjen e Bashkisë Gjirokastër.
Përgjigjja e Bashkisë Gjirokastër, 14 janar 2022
Edhe bashkia Dropull konfirmon për Faktoje se gjatë vitit 2021 nuk kishte asnjë gjobë të vendosur për ndotje të Lumit “Drino” në territorin e kësaj bashkie.
Përgjigje e Bashkisë Dropull, 18 janar 2022
E vetmja që nuk iu përgjigj pyetjeve të Faktoje lidhur me gjobat për ndotje të Lumit “Drino”, ishte Bashkia e Libohovës.
Verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar tregoi se pavarësisht ndotjes së vazhdueshme nga dora e njeriut të lumit Drino, nuk është marrë asnjë masë administrative ndaj subjekteve përgjegjës, të paktën përgjatë vitit të fundit, ndaj premtimin e nënkryetarit të Bahkisë, do ta kategorizojmë të pambajtur.