Përdorimi i dorezave kirurgjikale në disa aktivitete biznesi dhe institucione është një detyrim dhe shkelja ndëshkohet me gjoba të majme. Nga ana tjetër, ekspertë në fushën e shëndetit publik këshillojnë mospërdorimin e tyre, por ruajtjen e higjienës. Si duhet të veprojnë njerëzit në rastin kur këshillohet e kundërta e asaj që është vendosur si detyrim?
Që prej muajit mars kur u identifikuan rastet e para me covid-19, në Shqipëri ende ekziston mëndyshja, mbrojnë apo jo dorezat kirurgjikale nga përhapja e virusit?
Një nga pikat e protokollit të sigurisë për aktivitetin e transportit parashikon përdorimin e detyruar të dorezave si masë parandaluese për përhapjen e virusit covid-19 .
Po ashtu në mjediset e bizneseve apo institucioneve të ndryshme shohim të vendosura rregullore të cilat bëjnë të detyrueshme mbajtjen e dorezave gjatë gjithë orarit të punës.
Kjo masë ka sjellë edhe reagim të punonjësve të disa prej këtyre bizneseve, shqetësim që e gjetëm edhe në komentet në faqen zyrtare të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Mungesa e dorezave nga ana e punonjësve në disa aktivitete biznesi dhe institucione, ndëshkohet me gjobë nga institucionet shëndetësore që kryejnë kontrollet. “Faktoje” komunikoi me një biznes në Tiranë ku mësoi se gjatë një kontrolli në zyrat e tij, u gjendën gjenden kosha (letrash) të pa mbuluar dhe protokollet e paafishuara. Për këtë arsye biznesi u gjobit me 100 mijë lekë të reja. Po këtij biznesi iu komunikua se mospajisja me maska dhe doreza nga stafi, gjobitet nga 500-700 mijë lekë të reja dhe me mbyllje të aktivitetit.
Çfarë thotë OBSH për përdorimin e dorezave?
-OBSH nuk rekomandon përdorimin e dorezave nga njerëzit në komunitet të gjerë. Përdorimi i dorezave mund vetëm të rrisë rrezikun e infektimit. Një gjë e tillë është bërë e njohur që në fillimet e pandemisë, por edhe gjatë muajve në vijim.
Çfarë thonë mjekët shqiptarë?
I ftuar në një emision televiziv në datën 20 qershor 2020 doktor Pëllumb Pipero, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve për koronavirusin ka deklaruar se dorezat nuk duhen përdorur nga ata që punojnë në lokale, supermarkete apo autobus, pasi ka më shumë gjasa që të infektohen nga koronavirusi.
Kjo mospërputhje ka krijuar shumë paqartësi në komunitet, i cili është i çorientuar. A duhet të shmangë përdorimin e dorezave si një mjet që mund të kthehet në përhapës të virusit, siç sugjerojnë ekspertët, apo t’i përdorë nga frika e gjobave!