BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGranit Xhaka nuk është nën hetim nga FIFA

Granit Xhaka nuk është nën hetim nga FIFA

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka nuk është nën hetim nga FIFA, siç pretendohet nga disa portale. Faktoje verifikoi duke iu referuar informacioneve zyrtare nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit, se ka nisur një hetim vetëm ndaj Serbisë.

Ilda Hoxha

Në një artikull që mban datën 4 dhjetor, portalet kanë raportuar se futbollisti Granit Xhaka është nën hetim nga FIFA, në lidhje me situatën e krijuar në ndeshjen Serbi-Zvicër. Në fund të ndeshjes, kapiteni i Zvicrës festoi me fanellën me numër 26, e cila mbante të shkruar mbiemrin Jashari.

Futbollisti Shqiptar, Granit Xhaka është nën hetim nga FIFA dhe rrezikon të dënohet për shkak se festoi fitoren ndaj Serbisë me bluzën e shokut të ekipit Arton Jashari”, shkruan ndër të tjera portali “Rilindje.info”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të artikullit të publikuar, nisur nga interesi i madh që kjo ndeshje dhe zhvillimet që pasuan atë patën tek të gjithë shqiptarët. Fillimisht bëmë një kërkim me fjalë kyçe, duke iu referuar mediave serioze në Zvicër. Sipas gazetës Blick, FIFA ka nisur një hetim ndaj Serbisë, por jo ndaj futbollistit, Granit Xhaka.

Artikulli është publikuar edhe nga prestigjozia “The Guardian”, ku sqarohet se FIFA ka hapur një procedim disiplinor kundër Serbisë për tre akuza.

Në një deklaratë të FIFA-s thuhej: “Komiteti disiplinor i FIFA-s ka hapur procedim kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të shkeljeve të mundshme të neneve 12 (sjellja e keqe e lojtarëve dhe zyrtarëve), 13 (diskriminimi) dhe 16 (rendi dhe siguria në ndeshje) të kodeve të disiplinës së FIFA, në lidhje me incidentet e ndodhura gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, të mbajtur më 2 dhjetor”.

Ndërsa, më tej artikulli i portalit shkruan se politikani dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka marrë përsipër që të paguajë gjobën e Xhakës, nëse dënohet nga FIFA. Nga verifikimi rezulton se ky postim është bërë nga Pacolli në Facebook.

Postimi i Pacollit në Facebook

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img