.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMarketing i rremë për suplementin e vitaminave që kthen dëgjimin

Marketing i rremë për suplementin e vitaminave që kthen dëgjimin

Preparatet që qarkullojnë në portale nuk bëjnë mrekullinë kundër problemeve me dëgjimin. Faktoje sjell një tjetër rast, se si nëpërmjet skemave të mashtrimit online, synohet shitja e një produkti që mjekët specialistë ORL e klasifikojnë si një suplement vitaminash.

Një artikull që qarkullon online, sugjeron një preparat që pretendon se bën mrekullinë për sa i përket problemeve me dëgjimin.

U Caps është i destinuar për trajtimin dhe për rehabilitimin e plotë në rastin e komplikimeve progresive dhe humbjes së dëgjimit në çdo fazë të sëmundjes. Efikasiteti i medikamentit sipas studimeve është 97.9%, për këtë arsye «U Caps» nuk ka asnjë analog, as në vendin tonë, as jashtë tij!”-thuhet ndër të tjera në shkrimin e shpërndarë.

Në momentin që klikojmë linkun, na dërgon në një faqe ku duket sikur po komunikon direkt online me një person që identifikohet si Ledina Berisha, eksperte udhëheqëse në fushën e patologjive të dëgjimit dhe asistente e Qendrës së Ndihmës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ndërsa në pjesën lart, në të majtë të ekranit shfaqet edhe një foto, që supozohet se i përket mjekes në fjalë. Në bëmë një verifikim të imazhit, ku rezulton se foto i përket një mjekeje nga Rusia.

Më pas, në këtë artikull, bëhet një pyetësor, ku kërkohen të dhëna mbi gjininë, datën e lindjes, kur jeni diagnostikuar me sëmundjen, apo edhe kur u shfaqen simptomat tek ju.

Pyetjet që shfaqen në këtë artikull

Mirëpo, pavarësisht zgjedhjeve tuaja, përgjigjja e tyre është standarte: “Nuk dua t’ju frikësoj, por kjo fazë e sëmundjes tregon për rrezikun e humbjes së përhershme të dëgjimit që shkakton invaliditet. Shumë mjekë dhe klinika jo të ndershëm e fshehin këtë për të pasur mundësi të fitojnë duke shkruar ilaçe jo efektive. Por unë jam e detyruar t’ju paralajmëroj me ndershmëri se në këtë zhvillim të sëmundjes, metodat klasike të trajtimit jo vetëm që nuk do të jenë efektive, por do të shkaktojnë dëm të pashlyeshëm”.

Pra, e gjithë kjo ka si qëllim që t’i nxisë pacientët të blejnë preparatin, duke ngritur alarmin se në bazë të pyetësorit të realizuar, ata “janë në rrezik për të humbur dëgjimin”. 

Në lidhje me këtë preparat, ne pyetëm edhe mjeken otorinolaringologe, Juzela Shehun. Mjekja sqaron se ky produkt nuk bën asnjë mrekulli kundër problemeve të dëgjimit dhe se e gjitha është thjesht një reklamë me qëllim shitjen e produktit.

“Është hera e parë që dëgjoj për këtë suplement. Me çfarë shoh në përmbajtjen e preparatit janë të gjitha vitamina dhe minerale që ndihmojnë në mosagravimin e nivelit të dëgjimit (asnjë mrekulli, është e gjitha reklamë). Ka shumë preparate të tilla në treg, vetëm emrat ndryshojnë”, argumenton mjekja otorinolaringologe.

Faktoje ka verifikuar një sërë skemash mashtrimi, ku portalet kanë përdorur mjekë të rremë për të bërë të besueshme këshilla mjekësore që rekomandojnë blerjen e produkteve të panjohur.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img