Kjo nuk është harta e përmbytjeve e Marinës Amerikane nga viti 2013 dhe nuk parashikon përmbytje në shkurt 2024. Harta është krijuar në 1993 nga një spiritualisti amerikan, i cili besonte se një ndodhi kataklizmike do të çonte në përmbytje dhe vullkane mes 1998-2012.

——————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon çka pretendohet se është një hartë zyrtare e përmbytjeve të parashikuara nga Marina Amerikane nga viti 2013. Postimet pretendojnë se harta është pjesë e skenarit të pretenduar të të rritjes së nivelit të deteve në periudhën mes nëntor 2023 dhe shkurt 2024 si rezultat i shkrirjes së akullnajave nga ngrohja globale.

Me qesëndi, mohuesit e ngrohjes globale theksojnë se ditët e fundit të shkurtit 2024 po afrohen, dhe përmbytjet e parashikuara ende nuk kanë ndodhur.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se harta e mësipërme nuk është e Marinës së ShBA.

Ajo është fragment i një harte më të madhe, të gjithë planetit, krijuar në 1993 nga spiritualisti amerikan Gordon Michael Scallion. 

Gordon Michael Scallion ishte pjesë e një vale spiritualistësh dhe futuristësh në ShBA e viteve 1980. Ai pretendonte se kishte patur një rizgjim shpirtëror që e kishte ndihmuar të krijonte harta të detajuara të së ardhmes së botës. Ai besonte se një ndërrim kataklizmik i poleve të tokës, i shkaktuar nga ngrohja globale, veprimtaria bërthamore, dhe keqpërdorimi i teknologjisë, do të çonte në përmbytje masive dhe veprimtari vullkaninke në mbarë planetin. Scallion parashikonte se këto ndryshime do të ndodhnin mes 1998 dhe 2012.