.

.

Maqellara pret ujë për vaditjen e tokave

Maqellara, ose “hambari i Dibrës” nuk vadit dot tokat bujqësore. Në fushatën për zgjedhjet e 14 majit u premtua se do i jepej përparësi zgjidhjes së problemit të 3 dekadave. Faktoje verifikoi se fermerët kanë investuar privatisht për hapjen e puseve për vaditje dhe kultivojnë të mbjella që s’duan shumë ujë. Bashkia e Dibrës pranon se projekti për Ujëmbledhësin e Bllacës është ende në fazë projektimi dhe verifikimi kostosh nga Ministria e Bujqësisë.

Pak javë para zgjedhjeve të 14 majit, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu u zotua për nisjen e projektit që do t’i jepte zgjidhje problemit të vaditjes në Maqellarë. Gjatë fjalimit para banorëve të zonës, Spahiu theksoi:

“Ndër prioritetet e ngutshme është padiskutim projekti që do të adresojë vaditjen e 500 ha tokave bujqësore në Maqellarë!”-premtoi kryebashkiaku i Dibrës.

Postimi në Facebook, 26 prill 2023

Në lidhje me këtë premtim të kryetarit të Dibrës, ne iu drejtuam fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë. Faktoje e pyeti këtë institucion se në çfarë faze ishte zbatimi i projektit për vaditjen e tokave bujqësore në Maqellarë, duke kërkuar edhe afatet për nisjen e tij.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Bashkia e Dibrës thekson se aktualisht janë në fazën e hartimit të projektit ndërsa dhe se nuk ka ndonjë afat për nisjen e tij.

“Në Maqellarë po hartohet projekti për ndërtimin e Ujëmbledhësit të Bllacës. Ky projekt është në fazën e studimit dhe hartimit të kostos së tij. Ky projekt hartohet nga Ministria e Bujqësisë. Në këtë projekt përfitojnë 10 fshatra të Njësisë Administrative Maqelllarë. Vaditet një sipërfaqe toke bujqësore prej 800 hektarë. Gjatësia e kanalit ku përfshihen sifoni i Drinit dhe sifoni i Zogje është 16.5 km”, sqaron zyrtarisht institucioni që informon se kulturat bujqësore që mbillen aty janë grurë, misër, perime dhe vreshtari‘.

Faktoje udhëtoi drejt Maqellarës më 4 dhjetor, për të parë nga afër situatën në këtë zonë. Ne takuam banorë që kanë ngritur ferma dhe serra të cilave ujin për vaditje ua kanë siguruar duke investuar privatisht në hapjen e puseve. Njaziu, banor dhe fermer në Maqellarë thotë se prej vitesh, kjo zonë nuk ka parë pikë uji për vaditje.

“Problemet e Maqellarës janë të mëdha, por problem më i madh është vaditja e fushave. Mbaj mend që në kohën e komunizmit e gjithë kjo fushë vaditej me kanal, me pompa, ishin krijuar kushtet. Pas ’90-s nuk është parë pikë uji. Nuk e kam vetëm me këtë qeveri, por me të gjithë në këto 30 e kusur vite, të gjithë kanë faj!

Unë për vete e kam zgjidhur me pus, qëkur hapa fermën. Pata fat që më rezultoi shumë mirë pusi, kishte ujë mjaftueshëm”, shprehet ai.

Maqellarë, 4 dhjetor 2023

Xhelali, një tjetër banor i Maqellarës thotë se ka bërë një zgjedhje të detyruar, në mungesë të ujit për vaditje.  

“Nëse nuk ke ujë, ke dështuar me bimët. Unë mbjell jonxhë se nuk do ujë. Këtu mbillet më shumë grurë dhe misër, sepse nuk duan shumë ujë. Problemi që kjo zonë nuk arrin të ketë prodhimtari është mungesa e ujit. Maqellara është hambari i Dibrës, uroj ta bëjnë të lulëzojë sërish!”, shpreh dëshirën Xhelali.

Maqellarë, 4 dhjetor 2023

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar edhe në rrugë zyrtare, premtimin për projektin e ndërtimit të Ujëmbledhësit të Bllacës dhe dhënien zgjidhje të vaditjes në Maqellarë do ta kategorizojmë ende të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img