.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëManastirliu: Brenda 2018-ës sistemi i recetave elektronike do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë

Manastirliu: Brenda 2018-ës sistemi i recetave elektronike do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë

INVA HASANALIAJ

Receta elektronike, një shërbim i cili bënte pjesë në platformën e shëndetësisë elektronike, nisi fillimisht si projekt pilot gjatë 2015-ës, në 18 qendra shëndetësore dhe në 80 farmaci në Durrës.

Përmes kësaj recete synohej të zëvendësohej përdorimi i recetave letër dhe në këtë mënyrë mjeku ia dërgonte recetën farmacive elektronikisht. Por kjo vetëm për recetat me rimbursim dhe vetëm për pacientët e pajisur me kartë shëndeti.

Nga data 1 shkurt 2017, në Tiranë nisi aplikimi i recetës elektronike me qëllimin për të eleminuar recetat letër, të përdorura për barnat e rimbursueshme.

Në datën 23 dhjetor të vitit 2017-të ministrja e Shëndetësisë inspektoi një prej qendrave shëndetësore të Fierit për të parë nga afër funksionimin e recetës elektronike ndërsa premtoi duke premtuar se brenda vitit 2018 ky sistem do të shtrihej në të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Nisur nga deklarata e ministres, “Faktoje” vendosi të kontrollojë sesi funksionon aktualisht ky shërbim duke kontaktuar fillimisht me Ministrinë e Shëndetësisë.

Në përgjigjen e dhënë nga kjo ministri mësojmë se aktualisht, implementimi i sistemit të recetës elektronike në të gjithë skemën e Shërbimit Parësor dhe Paliativ është shtrirë në Drejtoritë Rajonale (DRF) dhe Degët e Fondit (DF) si më poshtë:

  1.  DRF -Tiranë
  2. DRF -Kamëz -Vorë
  3. DRF -Durrës
  4. DRF -Fier
  5. DRF -Shkodër
  6. DRF -Korçë
  7. DRF -Elbasan
  8. DRF -Vlorë
  9. DF -Lushnje
  10. DRF -Berat
  11. DRF -Dibër
  12. DF -Sarandë
  13. DRF -Gjirokastër
  14. DRF -Lezhë
  15. DRF -Kukës
  16. DF –Tropojë

Ndërsa implementimi i sistemit të recetës elektronike në skemën e Shërbimit Spitalor është shtrirë vetëm pranë Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.

Kjo ishte përsa i përket përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me këtë shërbim, ndërkohë që situata në terren është ndryshe. Nga kontaktet që kemi pasur me disa farmaci në disa qytete të Shqipërisë mësuam se ky shërbim nuk ofrohet ashtu sikurse është premtuar. Banorë të Vlorës, Ksamilit, Sarandës, Gramshit, Fushë-Krujës e nga disa krahina të tjera të vendit të pyetur për këtë shërbim thonë se ende nuk e njohin atë. Po kështu disa prej farmacive të këtyre qyteteve konfirmojnë se një shërbim i tillë nuk ka nisur të funksionojë.

Në Tiranë dy prej farmacive të kontaktuara nga “Faktoje” shprehen se kanë probleme me sistemin dhe sipas tyre, ndodh shpesh që ai të bllokohet.  Problematika tjetër qëndron tek nënshkrimi elektronik pasi për t’a patur farmacitë e rrjetit të gjerë, duhet t’i nënshtrohen pagesës së një tarife të caktuar, ndryshe nga farmacitë shtetërore të shërbimit spitalor për të cilat ky sistem është i implementuar pa kosto shtesë.

Ky është një konstatim i cili vjen jo vetëm nga verifikimet në terren të “Faktoje” por edhe nga ana e KLSH-së në një raport auditimi të bërë në vitin 2018 ku subjekt ishin Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Mosaplikimi i nënshkrimit elektronik për farmacitë ka sjellë rritjen e kostove administrative për DRF-të, përmes angazhimit të burimeve të shumta njerëzore për verifikimin e recetave dhe listës së treguesve të recetave të rimbursueshme, të paraqitura nga farmacitë pranë DRF-së respektive në formatin letër. Pra, ende nuk ka një proces tërësisht pa letër (paperless) siç është parashikuar në projektin e recetës dhe nënshkrimit elektronik”- shkruhet në raportin e KLSH-së.

“Faktoje” kontaktoi edhe me qytetarë të ndryshëm të cilët janë hallka e parë e përfituesve të këtij shërbimi.

Nga kontaktet që kemi pasur me qytetarë të kategorive të ndryshme përfituese të këtij shërbimi si psh., pensionistët, mësuam se ky shërbim funksionon pjesërisht. Thënë ndryshe disa nga të pyeturit janë shprehur se medikamentet e dhëna nga mjeku i marrin përmes kodit të gjeneruar ndërsa disa të tjerë përmes metodës të vjetër.

Fëmijët ishin një kategori tjetër që do të përfitonin nga ky shërbim por na rezulton ndryshe. A.H. është prindi i një fëmije 4 vjeç dhe pas vizitës mjekësore tek pediatri vetëm pak kohë më parë, na vuri në dispozicion recetën e dhënë në formatin letër.

Nga të gjitha sa u përmendën më lart, deklaratën e ministres Manastirliu sipas së cilës shërbimi i recetave elektronike do të shtrihej në të gjithë vendin brenda 2018-ës, do ta kategorizojmë si Gjysmë të Vërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img