INVA HASANALIAJ
Largimi nga lista e skemës së ndihmës ekonomike të një pjese të famijeve në nevojë, krijoi debate në seancën parlamentare të 15 marsit.
Mes replikave të deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi nga foltorja se skema e re e ndihmës ekonomike i ka dhënë mundësinë mbi 10 mijë familjeve të reja të përfitojnë.
Ndër të tjera ministrja deklaroi se Qeveria ka dyfishuar fondin për bashkitë, i cili është i dedikuar për familjet në nevojë. Ajo i kërkoi gjithashtu bashkive të djathta të mos e mbajnë peng fondin 6% që kanë në dispozicion, por ta shpërndajnë menjëherë për këto familje.
“Pse nuk e jep sot 6% bashkia e Shkodrës, pse nuk e jep sot 6% Kavaja, Mati Rrogozhina? Vetëm sepse duhet të mundësohet vijimi i turit të opozitës për familjet e varfra”–u shpreh ministrja Manastirliu.
Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” komunikoi me bashkitë e sipërpërmendura, për të mësuar se çfarë është bërë me fondin prej 6%.
Bashkia e Shkodrës na bëri me dije se është në proces të përgatitjes së projekt vendimit për fondin e alokuar.
Bashkia Mat në përgjigjen e saj tha se zbatimi dhe shpërndarja e fondit do të bëhet në muajin prill të 2018-ës.
Bashkia Kavajë pohoi se momentalisht 6%-ëshi i alokuar nuk ka kaluar akoma në Keshillin Bashkiak sepse është një fond i pamjaftueshëm. Kjo sipas tyre është një shifër shumë e vogël për t’iu shpërndarë qytetarëve dhe do të krijonte probleme me pjesën tjetër jopërfituese për shkak të pamjaftueshmërisë së fondit.
Po ashtu edhe Bashkia e Rrogozhinës na komunikoi se, brenda muajit mars do të jenë 7 familje që do të përfitojnë megjithatë një gjë e tillë ende nuk është zbatuar.
Nisur nga komunikimet me bashkitë e përmendura, “Faktoje” arriti në përfundim se deklarata e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu është E VËRTETË. Asnjë nga bashkitë e listuara prej saj nuk kanë filluar me shpërndarjen e fondit prej 6%.