.

.

BallinaPertejMakinat e blinduara në Shqipëri dhe numri i lartë që mund të paralajmërojë për situatën e sigurisë

Makinat e blinduara në Shqipëri dhe numri i lartë që mund të paralajmërojë për situatën e sigurisë

MERXHAN DACI

Një person i deklaruar si Alesio ka nxjerrë në shitje në shtator të vitit të shkuar në një prej websajteve shqiptare ku shiten automjete, makinën e tij të blinduar.

Në reklamimin e automjetit që ai kërkon të shesë ‘online’ për 25-mijë euro, Alesio jep këtë përshkrim: “Në dy dyer ka një dritare të vogël në pjesën metalike të blinduar (që hapet dhe mbyllet) për të qëlluar nga brenda automjetit”.

Krahas përshkrimit të detajuar si një makinë nga ku mund të kryesh një krim duke qëlluar ‘objektivin’ me armë, Alesio nuk ka nguruar as të lerë numrin e tij të telefonit, duke u dhënë mundësi të interesuarve ta kontaktojnë njëlloj sikur të bëhëj fjalë për një automjet të thjeshtë.

————————————————————————————————

Të blesh një makinë të blinduar në Shqipëri qenka shumë e thjeshtë! Mjafton një klikim në faqet e internetit të destinuara për shitje automjetesh dhe je vetëm një telefonatë larg mundësisë për të bërë tënden një makinë nga e cila mund të qëllosh me armë zjarri, pra të realizosh një qëllim kriminal apo thjesht ta përdorësh për t’u mbrojtur.

“Faktoje” bëri një vëzhgim mbi përdorimin e këtyre mjeteve që rezultojnë se përdoren nga persona të ndryshëm ndonëse kanë një specifikë të caktuar, për të mos thënë karakter ushtarak.

Makinat e blinduara mund të përballojnë plumbin e një pistolete, kallashnikovi e deri tek shpërthimet me bombë.

Audi, BMW, FIAT, Mercedes Benz, Volkswagen janë llojet që hasim më shpesh mes makinave të blinduara që qarkullojnë në Shqipëri.

Gjatë hulumtimit dhe interesimit të “Faktoje” pranë institucioneve lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme për sigurinë publike, hasëm në një hezitim disaditor nga ana e tyre për t’u përgjigjur.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha për “Faktoje” se në Shqipëri sot për sot janë funksionale 470 automjete të blinduara.

Në sistemin informatik të DPSHTRR janë rreth 470 mjete të blinduara me status aktiv. Procedurat e shërbimit në DPSHTRR me këto mjete janë si për mjetet e tjera të zakonshme por duke konfirmuar edhe një dokument shtesë nga Policia e Shtetit për të drejtat e përdorimit dhe pronësinë mbi këto lloj mjetesh”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MIE.

Duke konsideruar që një pjesë i përket institucioneve shtetërore apo bizneseve për transportimin e vlerave monetare, bie në sy që shumë prej tyre janë në përdorim vetjak.

Udhëzimi i Përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit i vitit 2006 “Për karakteristikat konstruktive dhe funksionale të mjeteve të blinduara” thotë se drejtuesit e mjeteve të blinduara që i përdorin ato për qëllime personale-private duhet të pajisen me një autorizim të veçantë të lëshuar nga drejtori i policisë së qarkut, pas paraqitjes së kërkesës paraprake.

Policia e Shtetit konfirmoi për “Faktoje” se prej këtyre qindra makinave të blinduara 120 janë për përdorim personal, ndër të cilat 110 posedohen nga persona fizikë dhe 10 nga persona juridikë.

Policia e Shtetit deklaron se gjatë vitit 2018 në aksionet e ndërmarra nga ky institucion disa drejtues automjetesh të blinduara janë proceduar penalisht, duke konfirmuar tezën se një pjesë e personave që përdorin të tilla makina vijnë nga bota e krimit.

Sipas një raporti të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të siguruar nga burime konfidenciale të “Faktoje”, bien në sy emra që i hasim rëndom në kronikat e lajmet policore, por edhe emra të panjohur për të cilët lind pyetja; për çfarë arsye u duhet të lëvizin me mjete të padepërtueshme nga plumbat? Ndihen të pasigurtë apo të kërcënuar për jetën? Nga kush? E shohin shtetin të pamundur për t’i mbrojtur?

Të fortët që nuk “imunizohen” as me makina të blinduara

Edhe pse kishte në pronësi dy Mercedes Benz G500 dhe S500 të blinduara, kjo nuk ndaloi vrasjen e Edison Harizajt nga Vlora vitin e shkuar. I njohur si “Il Padrino” dhe me precedentë penalë, 39-vjeçari u vra nga një breshëri plumbash ndërsa lëvizte në Durrës.

Florenc Çapja është po ashtu një prej të skeduarve nga Policia e Shtetit si i përfshirë në ngjarje kriminale. Në raportin e siguruar në mënyrë konfidenciale nga Faktoje, Çapja rezulton pronar i dy makinave të blinduara të llojit “Audi A8” dhe “Mercedes Benz AMG”, të dyja automjete që kapin vlerën e mbi 200-mijë dollarëve së bashku dhe që kanë një kosto shtesë në rast të elementeve të personalizuar të sigurisë në bazë të kërkesës së klientit.

Duke iu rikthyer raportit vërejmë se edhe Gilmando Dani, i njohur si miku i Emiljano Shullazit, i dënuar me 12 vjet burg tashmë, po ashtu zotëron një makinë të blinduar. Përjashtim nuk bën as Flamur Avdyli, i njohur si “i forti” i Shijakut i cili po ashtu zotëron një makinë të blinduar.

Nuk është e vështirë të kuptojmë se Policia e Shtetit ka dështuar ndër vite në dhënien dhe vënien nën kontroll të automjeteve të blinduara, duke neglizhuar “CV-të” e pasura kriminale të personave të cilët i zotërojnë ato.

Çfarë domethënie ka kjo për situatën e sigurisë në Shqipëri?

Vitin e shkuar në Shqipëri pati më shumë vepra penale se në vitin 2017, ndërsa sipas United States Department of State, Bureau of Diplomatic Security (OSAC) krimi i organizuar ka një ndikim të theksuar në Shqipëri, me një rrjet të organizatave kriminale të përfshira në trafikimin e drogës, grabitjeve, ryshfetit, pastrimit të parave, prostitucionit dhe trafikimit njerëzor.

Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror nga viti 1998 deri në 2002, (kujtojmë se në shtator 1998 autorët e vrasjes së deputetit Azem Hajdari lëvizën me mjete policie pas krimit), tani ekspert për çështjet e sigurisë, tha për Faktoje se normalisht këta persona që përdorin mjetet e blinduara kanë frikë.

Kjo nuk tregon gjendje normale, kjo të sjell ndërmend që këta njerëz kanë probleme dhe frikë, prandaj zgjedhin të lëvizin me të tilla makina”, tha Klosi.

Për një profesionist nga bota e biznesit, një politikan, gjykatës, ushtarak, apo personlitete të tjerë, të udhëtosh në stilin “James Bond”, duket e justifikuar. Në Shqipëri, një kategori njerëzish që përdor makinën e blinduar për asnjë nga këto motive dhe aq më tepër në dosjet e policisë ka “historinë”, potencialisht mbetet një kërcënim për sigurinë publike.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img