Pavarësisht pretendimeve plot fantazi të disa portaleve, riemërtimi i partisë së presidentit francez Emmanuel Macron në ‘Renaissance’ (Rilindja) nuk ka të bëjë aspak me ‘Rilindjen Shqiptare’ të pagëzuar në 2011 nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Patris Pustina
Një lajm është shfaqur në portalet shqiptare ku aludohet kopjimi i emrit të ri të partisë së Macron nga “Rilindja Shqiptare” e Edi Ramës.
Sigurisht, e kundërta mund të jetë më e mundur të ketë ndodhur. Në çdo fjalor serioz dhe enciklopedi, kuptimi i fjalës rilindje, përkthimi në shqip i fjalës franceze ‘Renaissance’, i referohet një periudhe në qytetërimin francez dhe më tej atë evropian, që u shënua nga një ringjallje e mësimit dhe mençurisë klasike. Këtë frymë emancipimi ideshë dhe ringjalljeje kombëtare nga pushtimi i gjatë osman synuan dhe rilindasit shqiptarë në fundin e shekullit të 19-të nëpërmjet veprave letrare dhe formave të tjera të artit me nota patriotike. Në vitin 2011, kur ndodhej në opozitë dhe synonte rimëkëmbjen e vendit pas ardhjes së saj në pushtet, Partia Socialiste zgjodhi të emërtonte programin e saj “Rilindja Shqiptare”, dukshëm e frymëzuar nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e shekullit XIX.
Duke verifikuar më tej lajmin e kopjimit nga Macron, rezulton se riemërimi i partisë së Macron në fakt është bërë publik që në Maj të këtij viti nga sekretari i saj i përgjithshëm Stanislas Guerini, në një konferencë për shtyp ku ai shpalli dhe një koalicion elektoral me partitë Horizons dhe Mouvement démocrate. Në fakt, ky emër ishte përdorur që në 2019 nga delegacioni i deputetëve francezë në Parlamentin Europian. Ndërsa në Mars të 2019, Macron e përdori termin në titullin e një letre të hapur të botuar në disa gazeta drejtuar qytetarëve të Europës: “Për një Rilindje Europiane”.
Për më tepër, ndryshimi i emrit të kësaj partie nga “La République en Marche” në “Renaissance” (Rilindja) nuk ka të bëjë në asnjë rast me programin e hartuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë në 2011.
Ndërkohë, sipas Guerinit, ndryshimi i emrit të partisë në Renaissance u bë për të theksuar se partia “do të zgjedhë gjthmonë iluminizmin kundër obskurantizmit.”
Macron e krijoi lëvizjen politike En Marche! (Në Lëvizje) në 2016 kur ishte Ministër i Ekonomisë, me sytë drejt kandidimit për president në 2017. E klasifikuar si “as e majtë as e djathtë”, kjo lëvizje mbante inicialet e vetë Macron (EM) dhe kishte një logo me shkrimin e tij.
Kjo mesa duket është edhe arësyeja kryesore për këto emërtime të reja. Megjithëse Macron u rizgjodh si president i Francës në zgjedhjet e vitit 2022, ky do të jetë mandati i tij i fundit. Që prej vitit 2008, presidenti francez, me ligj, nuk mund të shërbejë më shumë se dy herë rresht. Si rrjedhojë, partia e identifikuar që në gjenezë me figurën e Macron, në përgatitje për zgjedhjet e 2027, ka filluar të ndryshojë imazhin e saj për t’u distancuar nga lideri.